Banjska, fshati që u bë ‘atraksion’ i mediave botërore pas sulmit terrorist

- in Lajme

Banjska, një fshat në mes të Komunës së Zveçanit me një popullsi prej 400 banorë (të dhëna këto nga viti 2011), u bë kryetemë e mediave lokale, vendore e ndërkombëtare.

Jo se u bë i njohur për manastirin shumëshekullor dhe një banjë termale, në fakt fshati mori një reputacion të tmerrshëm kah fundi i shtatorit.

Brenda këtij fshati përmes një rruge mund të parakalosh përgjatë gjithë hapësirës dhe të shohësh shtëpitë, kafenetë, shkollën e deri te manastiri që është i ndërtuar në krye të fshatit.

Në hyrje të këtij fshati vëren një qetësi e banorë sheh deri sa frekuentojnë dy kafenetë që gjenden afër njëra tjetrës.

Banjska arriti që nga një fshat i qetë e pa probleme të zinte vende në çdo faqe të mediave vendore, rajonale e tabloide ndërkombëtare.

Rreth orës 3 të mëngjesit Policia e Kosovës kishte pranuar një informatë për të shtëna me armë në rrugën kryesore që kalon përmes fshatit Banjskë. Nga të shtënat me armë një polic ishte konfirmuar i vdekur e dy të tjerë që ishin në veturë me të njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Rreshteri Afrim Bunjaku u konfirmua si i vdekur pas një shpërthimi që kishte ndodhur në urën e fshatit. Aty fillimisht grupi dyshohej se kishte vendosur dy kamionë si barrikadë për të penguar futjen e veturave të tjera brenda fshatit.

Brenda këtyre kamionëve ishte vendosur edhe një granatë kundër këmbësorisë që shpërtheu në momentin kur rreshteri Bunjaku ishte afruar për të shikuar se kush qëndronte mbrapa asaj barrikade.

Banjskë, vendi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Në atë kohë, vetura në të cilën gjendej Bunjaku dhe dy kolegë të tij ishte duke patrulluar pasi kishin marrë informacionin për barrikadën e vendosur.

Në ndihmë të këtij ekipi pas sulmit të parë ishin parë edhe zyrtarë të tjerë policorë të cilët kishin shkuar me autoblinda. Edhe ata u sulmuan me mjete shpërthyese të rënda por që nuk u regjistrua ndonjë i lënduar tjetër.

Orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit ende ishin mjegull se me kë kishte të bënte Policia e Kosovës dhe kush qëndronte mbrapa grupit të dyshuar të unfimormuar e të armatosur deri në dhëmbë.

Njoftimi i parë zyrtar për ngjarjen ishte dhënë nga Policia e Kosovës në orën 8 të mëngjesit. Në këtë njoftim thuhej se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta ishte bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Në po këtë njoftim, bëhet e qartë se njëri zyrtar policor kishte vdekur ndërsa njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Orët në vijim do të vazhdonin që të regjistronin incidente të tjera. Ekipi i KALLXO.com nga orët e mëngjesit ishte vendosur për të raportuar për situatën në Banjskë. Gjatë atyre orëve sa ekipi qëndroi atje, dëgjoi disa herë të shtëna armësh që shkrepeshin e që vinin nga brendësia e Banjskës.

Përveç banorëve që tashmë ishin të ngujuar brenda fshatit për shkak të situatës, brenda zonës më nuk arrinte të futej asnjë person i cili nuk ishte i autorizuar.

Shpesh aty kalonin ekipet e misioneve ndërkombëtare të cilët po monitoronin situatën sa nga toka e sa nga qielli me helikopterë.  Krejt kjo në orët pasuese, pas informacionit zyrtar asaj të sulmit.

Banjska pati një zhvillim interesant dhe një kthesë diku në orën 12:00 të ditës.

Kryeministri i vendit publikoi pamjet nga një dron, ku shiheshin njerëzit e armatosur të vendosur në manastir. Publikimi i pamjeve e ndryshoi rrjedhën e komenteve në publik dhe seriozitetin e situatës.

Njoftimi zyrtar i policisë i dyti me radhë në atë ditë për situatën u bë publik në ora 14:21 pasdite.

Policia tashmë kishte arritur që të futej brenda disa hapësirave të fshatit Banjskë dhe kishin rrethuar një pjesë të grupit të dyshuar.

Tashmë ajo që dihej deri në atë kohë ishte se, situata po vazhdonte të ishte e tensionuar, ndërsa policët po luftonin me dhjetëra persona, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara si dhe të njëjtit, po shfrytëzonin hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.

Përgjatë ditës, sulmuesit u konsideruan një grup kriminal i armatosur për të ndryshuar më pas ky term në një grup terrorist që synonte luftë me policinë.

Për shkak të situatës që ishte krijuar në Banjskë, Policia e Kosovës kishte njoftuar edhe se për hirë të sigurisë kishte mbyllur për qarkullim dy pikat kufitare në veri të vendit, Jarinjën dhe Bërnjakun.

Mbi 10 orë policët herë pas herë janë detyruar që t’i kundërpërgjigjeshin sulmeve të grupit terrorist që kishte hyrë në Banjskë dhe nga atje po planifikonin gjithë sulmin.

Madje në raste të ndryshme u gjuajtën edhe municione ushtarake në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në orët e pasdites nga mbrëmja dikur, u dha një njoftim se grupi terrorist ishte arratisur përmes rrugës që të dërgon për një pikë kufitare e quajtur “Izvor” e më pas nga aty drejtë Rashkës për në Serbi.

Nga zyrtarët policor të Policisë së Kosovës pati disa të lënduar ndërsa nga grupi terrorist u raportua për tre të vrarë.

Ajo çka kishin lënë mbrapa pjesëtarët e grupit terrorist bëri që në Banjskë për 3 ditë të ketë një kontrollë të rreptë në çdo cep të fshatit.

Mbi 20 vetura, disa prej tyre të blinduara, armatim ushtarak i rëndë, zolla, granata, municione të armëve, pushkë, kallashnikov, uniforma, maska, e shumë gjësende të tjera u sekuestruan në Banjskë.

Armatimi i konfiskuar në Zveçan. Foto: Policia e Kosovës

Përgjatë tri ditëve sa Banjska qëndroi e mbyllur dhe u kontrollua nga ekipe të shumta të Policisë së Kosovës, të mërkurën e 27 shtatorit, mediat u lejuan të hyjnë brenda zonës dhe të raportonin për atë se çfarë kishte ndodhur aty brenda.

Ilustrim polici i kosoves ne banjske
Ilustrim

Pamja e parë ishte, ajo e një autoblinde të goditur nga dhjetëra plumba, disa kamionë të demoluar, arka të municioneve e predha të mbetura të plumbave. Banjska pasditen e 27 shtatorit u shndërrua në një atraksion për mbi 30 kameramanë e gazetarë nga e gjithë bota që vizituan fshatin Banjskë.

Autoblinda e policisë e sulmuar në Banjskë, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Banorët e fshatit nuk flisnin shumë, një pjesë e tyre janë mbledhur për të kuvenduar në dy objekte që shfrytëzohen si kafene.

Disa pinë birra të prodhimit serb e të tjerët kafe. Edhe pse në fshat pati shpërthime minahedhësish e krisma, banorët arsyetohen se ishin në gjumë.

“Nuk dimë çka ka ndodhur, kemi qenë në gjumë kur ka ndodhur pjesa më e madhe e ngjarjeve” – thotë njëri nga banorët e fshatit.

Foto: Kallxo.com

E njëra nga banoret ka kërkesa më interesante. Në sinqeritetin e saj ajo tregon se ishte traumatizuar dhe kishte nevojë të marrë trajtim psikologjik.

Fshati ndodhet në një skaj të vendit dhe në bazë të hartave ai ka lidhje malore me Serbinë. Rrugët malore u shfrytëzuan për t’u sjellë në fshat armatimi ushtarak, ku bëjnë pjesë  minahedhës, armë automatike, granata dore, snajperë, mitralozë, municion, uniforma, maska, kapela, e 26 automjete, dy nga to autoblinda e disa vetura luksoze të blinduara.

Të dhënat e publikuara nga Policia tregojnë se në mesin e të vrarëve dhe të arrestuarve nuk kishte persona që janë nga fshati por mister mbetet fakti se si arritën tërë këta njerëz të futen në fshat dhe askush nuk i telefonoi Policisë.

Prapa fshatit ndodhet rruga përmes të cilës ikën të dyshuarit. Në nisje ajo është e asfaltuar ndërsa tutje vazhdon si rrugë malore por që mund të përshkohet me automjete 4×4.

Gjatë arratisë grupi u nis në këtë rrugë me mjetin e blinduar, i cili mbeti në rrugë për shkak se gomat iu shpuan nga snajperët e Policisë.

Rruga malore garantoi tërheqjen e disa të plagosurve dhe pjesës më të madhe të grupit e nga aty vazhduan rrugën këmbë drejt Serbisë. Disa nga ta ishte raportuar se ishin duke u trajtuar në spitalet e Novi Pazarit.

“Macja e zezë e veriut” po e udhëhiqte grupin terrorist

Dy ditë pas sulmit terrorist që u regjistrua në Banjskë të Zveçanit, u verfikua se kush qëndroi mbrapa dhe i priu pjesëtarëve të unfirormuar.

Millan Radoiçiq, u pa në pamjet që kishte arritur të kapte droni i cili ishte vënë në punë gjatë datës 24 shtator.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamjet që kishte kapur droni dhe i kishte publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, e ku edhe kishte shpjeguar se kush shihej në pamje.

“Kryekrimineli Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”- kishte shkruar Sveçla në Facebook me 26 shtator.

Vetëm një ditë para se të publikoheshin pamjet e grupit terrorist, në njërën nga veturat që kishte arritur që të sekuestroj Policia e Kosovës në Banjskë ishin gjetur dokumente të Millan Radoiçiqit.

Përveç kontrolleve të vazhdueshme në Banjskë, Policia në ditët pas 24 shtatorit nisi bastisje të shumta që ndërlidheshin me sulmin në fshat.

Më 29 shtator, policia nisi bastisjet në prona të ndryshme të cilat pretendohej se ishin pjesë e pronësisë së ish- nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Hotel Gray pas bastisjes nga Policia e Kosovës, Foto: KALLXO.com

U bastis “Hotel Gray”, u sekuestruan makina luksoze, u bastis një villë në Liqenin e Ujmanit e edhe u sekuestrua ndërsa e njëjta në të ardhmen mund të përdoret edhe si një stacion policor.

Në po të njëjtën datë u bë publike se Millan Radoiçiq përmes një letre të cilën e lexoi avokati i tij do të flas për situatën në Banjskë.

Ai mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë duke thënë se ka qenë organizatori dhe ai që mundësoi aspektin logjistik e që për të gjitha këto nuk e kishte njoftuar askënd.

Institucionet e Kosovës kërkuan nga Beogradi meqenëse Radoiçiq gjendej atje, që ta ekstradonin dhe i njëjti të përballej me sistemin në Kosovë për sulmin terrorist në Banjskë të cilin e udhëhoqi.

Radoiçiq u arrestua në Beograd për tu liruar një ditë më pas me vendim të gjykatës. Të njëjtit iu konfiskua pasaporta dhe iu ndalua ardhja në Kosovë dhe largimi nga Serbia. Madje atij i ishte vënë kusht që të lajmërohej dy herë në muaj në polici.

Policia e Kosovës me njësitë e saj vazhduan që të kryenin bastisje të shumta në pjesën e veriut të vendit e që çdo bastisje ndërlidhej me sulmin terrorist në Banjskë.

Dy nga personat pjesë të grupit terrorist ishin arrestuar dhe të njëjtit gjenden edhe në paraburgim.

Detaje për rastin në Basnjkë vazhdojnë të dalin në pah vazhdimisht.

Në një dokument që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ua ka dorëzuar institucioneve të tjera jepen detaje edhe rreth kohës kur grupi terrorist udhëtoi drejt Kosovës.

Diku 10 orë para se të bëhej sulmi fillestar me një granatë kundër këmbësorisë me teledirigjim, e cila shpërtheu rreth orës 2:30 të mëngjesit të 24 shtatorit, grupi terrorist në uniforma e i armatosur ishte nisur nga Novi Pazari drejt Banjskës.

Detajet që janë përdorur në dokumentin e MPJ-së tregojnë edhe se kanë arritur që të nxjerrin fotografi dhe materiale të tjera nga telefonat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u ishin gjetur në Banjskë.

Në njërën nga materialet e nxjerra nga njëri prej telefonave të njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist shihet në fotografi edhe ish-shefi i Njësive Speciale në veri të Mitrovicës, Uglesha Jarediq.

Uglesha Jarediq, Fotografi e realizuar me 23 shtator 2023 rreth ores 16:39, Foto: KALLXO.com

Fotografia, sipas të dhënave të MPJ-së, është realizuar rreth orës 16:39 me datë 23 shtator. Fotografia është realizuar gjatë kohës sa grupi ishte nisur nga Novi Pazari për në Banjskë. Madje në dokument përmendet edhe se njëri nga të arrestuarit për rastin e Banjskës ka deklaruar se rrugëtimi i tyre nga Novi Pazari drejt Banjskës është bërë në mënyrë të organizuar. Distanca mes kufirit dhe Banjskës është diku rreth 14 kilometra.

Grupi që hyri brenda Banjskës, e më pas u arratis ngjalli debat në shoqëri. Kjo pasi u ngritën pikëpyetje nëse ishte policia që lejoi arratisjen.

Mirëpo, kjo u mohua nga ministri Xhelal Sveçla e drejtori i përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të cilët prezantuan dëshmi të reja e video-materiale që u nxorën nga dronët e grupit terrorist që kreu sulm në Kosovë e nga autoblindat e Policisë nga vendi ku ishte kryer sulmi në të cilin u vra Afrim Bunjaku e një koleg i tij u plagos.

“Nuk ka pasë kurrfarë negocimi me askënd gjatë këtij aksioni. Unë nuk mund të rresht së falënderuari Policinë e Kosovës për profesionalizmin e tyre“ – tha Sveçla më 1 tetor 2023 në një konferencë për media.

Pjesë e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator, ishte edhe ish shefi i njësive speciale në veri Uglesha Jarediq. Për të dokumentuar përfshirjen e tij në një dokument të MPJD-së, ishte  përdorur një fotografi ku Jarediq shihet në një makinë bashkë me dy persona të tjerë. Madje fotografia pretendohet se është shkrepur gjatë kohës sa grupi ishte nisur nga Rashka për në Banjskë.

Jarediq kishte udhëhequr njësinë speciale në Mitrovicën Veriore deri pak javësh, para se policët të ofronin dorëheqje masive.

Ai ishte suspenduar nga detyra edhe në shkurt të vitit të kaluar nën dyshimet për kryerje të veprës penale dhunë në familje.

Dokumenti i MPJD-së, përmend edhe pjesëtarë të tjerë të grupit por që të njëjtit kishin marrë pjesë edhe në protestat e dhunshme në Zveçan më 29 maj.

Stefan Jovanoviq ishte identifikuar si person që u fotografua më 29 maj 2023 në Zveçan deri sa po sulmoheshin ushtarakët e KFOR-it nga banda e Millun Milenkoviqit.

Ky i fundit në po të njëjtin dokument identifikohet si drejtues i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe zëvendëskomandant i organizatës tjetër të shpallur në Kosovë si terroriste “Brigada e Veriut”.

Për Jovanoviqin, MPJ ka thënë edhe se i njëjti pretendohet se ishte pjesë e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Dokumenti që identifikonte Jovanoviqin – një letërnjoftim i Serbisë, ishte gjetur në Banjskë në ditën kur ishte kryer agresioni atje.

Pra në sulmin terrorist të regjistruar në Banjskë, pati të shumtë persona që ishin nga komunat në veri të Mitrovicës.

Banjska edhe sot vazhdon të monitorohet nga afër prej Policisë së Kosovës. Atjë vazhdimisht është i pozicionuar një ekipë e Njësisë së Reagimit të Shpejtë të cilët vazhdojnë të patrullojnë kohë pas kohe përgjatë fshatit për të parë nga afër ndonjë zhvillim të mundshëm pas atij të 24 shtatorit.

Sot bëhen 3 muaj nga ngjarja në Banjskë dhe deri më tani, nuk ka nisur ende ndonjë gjykim për dy të arrestuarit si pjesëtarë të grupit e po ashtu nuk është bërë publike nëse ndonjë nga pjesëtarët e tjerë të arratisur të grupit janë arrestuar apo u është shqiptuar ndonjë dënim për pjesëmarrje në këtë sulm.

Organizata më e madhe e policisë INTERPOL në fillim të këtij muaji futi në listën e kërkimit Millan Radoiçiq, Uglesha Jarediqin dhe më shumë se 15 persona të tjerë.

Fletarresti bazohet edhe në dy vendime të Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me të njëjtin person.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, INTERPOL-i ka përmendur edhe dy urdhër arreste të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës më 3 dhe 11 tetor të këtij viti.

Gjithashtu në fletarrest përmendet edhe vendimi për Radoiçiqin si person i kërkuar nga Kosova më 6 tetor.

Millan Radoiçiq sipas vendimeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste, konkretisht, vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Në anën tjetër, personat e tjerë në listën me fletarrest janë: L. S., M. R., M. J., M. K., M. V., M. V., N. S., S. P., S. J., S. R., T. V., U. J., U. M., V. Gj., V. R., V. V., V. A., V. J., A. M.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano pati thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja ndaj palëve, ndërsa ka shtuar se nga Serbia presin bashkëpunim të plotë dhe pa kushte në hetimin e sulmit terrorist.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

“Për dallim nga ata, ne nuk përpiqemi të konkurrojmë nëse Prishtinës apo dikujt tjetër do t’i ndodhë diçka e keqe. Nuk na keni dëgjuar kurrë duke bërë fushatë për sanksione ndaj tyre. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, ne jemi të interesuar të kemi një jetë normale, që serbët në Kosovë ta kenë një jetë normale” – kishte thënë presidenti i Serbisë në Granada të Spanjës, më 5 tetor 2023.

Parlamenti Evropian kërkoi sanksionimin e Serbisë

Me 3 tetor 2023, në Parlamentin Evropian u kërkua sanksionimi i shtetit serb për shkak të agresionit në Kosovë.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, ndërsa eurodeputeti holandez, Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.

Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon, derisa pati edhe deputetë që bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me vite në heshtje është lejuar ta minojë stabilitetin në rajon.

Strik ka bërë thirrje që liderët e BE-së të veprojnë ndaj Serbisë lidhur me ngjarjet e fundit në veri.

Vendet e rajonit dënuan sulmin terrorist

Gjatë një takimi në Zagreb, thirrje për ndëshkim të Serbisë, kanë bërë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq.

“Ne e kemi një krim, një vrasje të një oficeri policor, dhe e kemi heroizmin e atyre që e kryen krimin” – ishte deklaruar Rama.

Në mbështetje të Kosovës doli edhe kryeministri i Kroacisë i cili kërkoi gjithashtu marrjen e masave nga BE për Serbinë.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës nga grupe të armatosura që dukej se ishin të strukturuara. Kjo ngjarje është një incident shumë serioz. Nuk mund të mos e shohim jashtë këtij kontekstit. Reagimet e BE-së duhet të jetë të qarta dhe të forta dhe të përkrahin institucionet e Kosovës”- tha ai.

Sulmi u dënuar edhe nga institucionet e vendeve tjera të rajonit.  Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka dënuar sulmin drejt zyrtarëve të Policisë së Kosovës duke theksuar se autorët duhet të sillen para drejtësisë./Demokracia