Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar sot Telekominin e Kosovës.
Këtë vizitë e ka përcjellur edhe mediat, për t’ia shtruar një pyetje që, në fakt, nuk lidhet me Telekomin, por me temën më të diskutueshme në vend në 4-5 ditët e fundit, atë të faturave të shtrenjta të energjisë elektrike.
Në pyetjen e gazetares së Nacionales, për shumën e faturës, Kurti deklaroi se ende nuk i ka ardhur fatura e muajit dhjetor. Por, Kurtit duket se nuk i pëlqeu pyetja e Nacionales, pasi deklaroi se vizita ishte në Telekom dhe jo në KEK.
“Fatura e energjisë elektrike për muajin dhjetor nuk më ka ardhur ende. Por ky është Telekomi, jo KEK-u, e ke parasysh? ” – deklaroi Kurti, ndërsa gazetarja e Nacionales ia kujtoi Kurtit se gazetarët kanë të drejtë të bëjnë edhe pyetje të tjera, që nuk ndërlidhen me Telekomin.
“Po, patjetër, veçse ky është Telekomi” – shtoi Kurti si përgjigje.
Qytetarët ditët e fundit janë ankuar se faturat e rrymës janë fryer dhe se ju ka ardhur afro dyfish më shumë.
Qeveria vazhdon të kundërshtoj se çmimi i rrymës është ngritur, por “topin” e gjuan tek qytetarët, duke i akuzuar se kanë hargjuar më shumë./Demokracia.com/