Diego Simeone shpreson që Luis Suarez do ta përdorë dhuntinë për të shënuar gola në ndeshjen e sotme, ku Atletico përballet me Chelsean në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Suarez është duke kaluar një sezon fantastik me Atleticon, ku ka regjistruar 16 gola në 24 paraqitje, që prej transferimit nga Barcelona, përcjell KosovaPress.
“Për të gjitha garat, jo vetëm në Ligën e Kampionëve, prezenca e Luis Suarez i jep besim skuadrës tonë, dhe pa dyshim që edhe rivali do të kushtojë më shumë rëndësi, sepse e tregon dhe vetë historia se çfarë dhuntie për gola ka ai, është një golashënues me një lidhje të fortë me golin”, tha Simeone në një konferencë për media.
“Kështu, shpresoj që do të luajmë një ndeshje të mirë si ekip. Dhe insistoj për Chelsean, që është një skuadër tejet e mirë, dhe trajneri i ri, i cili është shumë i mirë, është duke e bërë Chelsean të luaj edhe më mirë”, shtoi tekniku argjentinas.
Për shkak të protokollit antiCOVID-19, ndeshja e parë e kësaj xhiroje do të zhvillohet në “National Arena”, në Bukuresht të Rumanisë.
Simeone duket se është i vetëdijshëm që Chelsea është e pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit, që prej ardhjes së trajnerit Thomas Tuchel.
“Ne i respektojmë të gjitha mendimet dhe i dëgjojmë të gjithë, por do të përballemi me një skuadër të fortë, dhe gjasat janë të barabarta”, tha Simeone.
“Jam që shumë kohë tek Atletico, dhe të gjithë ju e dini se si punojmë ndeshje pas ndeshje dhe e përfundojmë punën tonë”, shtoi ai./KosovaPress