Kurti provon ta vonojë Zajednicën, propozon nënshkrimin e marrëveshjeve të pranuara më 27 shkurt e 18 mars 2023 në vitin 2024

- in Lajme

Kryeministri Albin Kurti, duke i kuptuar gabimet e tij, si duket tani po provon ta vonojë edhe pak themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe apo siç e quante ai, Zajednica. Kurti që deri sot pranoi ato çka iu propozuan të tjerët për Zajednicën, sot tha se ai mund ta shkruajë një draftstatut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. 

Ai duke dashur t’i japë vetes edhe pak kohë, tha se Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nënshkruhet në fund të marsit të vitit 2024, shkruan Demokracia.com.

“Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.”, ka shkruar Kurti.

Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Më 21 tetor 2023, kryeministrit Kurti i është dorëzuar një draftstatut për themelimin e Zajednicës nga 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën e Italinë, të cilin, më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Ky statut, të cilin Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruajë para liderëve evropianë, i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Përmbajtja e plotë e Statutit nuk është bërë ende publik, por ky detaj është zbuluar nga zëvendësi i Kurtit në Qeveri, Besnik Bislimi, më 13 dhjetor 2023, gati dy muaj pas pranimit të dokumentit. / Demokracia.com /