Dështimi i madh | Kurti s’ka me çfarë të mburret përveç Zajednicës: Arritja jonë më e madhe në rrafshin ndërkombëtar më 2023 është Marrëveshja me Serbinë

- in Lajme

“Nuk do ta kemi prioritet krijimin e ekipit të dialogut me Serbinë, që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu është në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë dhe u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”.

Kështu deklaronte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pak para përfundimit të ditës së 14 shkurtit 2021, kur partia e tij doli forca e parë politike në Kosovë, me mbi 50% të votave të fituara.

Deri sa të gjithë po prisnin shkëlqimin e Kurtit në temën e ballafaqimit me Serbinë, ndodhi ajo që nuk e kishin parashikuar as skeptikët më të mëdhenj.

2 vite e 10 muaj pas kësaj deklarate, Albin Kurti nuk ka asgjë tjetër për të prezantuar, përveç dialogut.

“Dialogu me Serbinë” është tema e përditshme dhe më e diskutuara në Republikën e Kosovës, me të cilën po mburret Kurti.

“E arritura më e madhe e Qeverisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar sivjet, ka qenë Marrëveshja Bazike e datës 27 shkurt (në Bruksel) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkë me Aneksin e zbatimit të datës 18 mars (në Ohër)”.

Kështu u tha kryeministri Albin Kurti zyrtarëve të partisë së tij, gjatë një takimi të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëevendosje, më 16 dhjetor 2023, si një dëshmi e qartë e dështimit të madh të Qeverisë së drejtuar prej tij.

Në mungesë të njohjeve dhe anëtarësimit në ndonjë organizatë ndërkombëtare me rëndësi të veçantë, gjithçka që kundërshtari i madh i dialogut me Serbinë, Albin Kurti, mund ta paraqesë si sukses të angazhimit të tij janë marrëveshjet e arritura me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Në qendër të këtyre marrëveshjeve qëndron Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, kundërshtari më i madh i së cilës ishte vetë Kurti para se të bëhej kryeministër.

Sot, Kurti si kryeministër është në ballë të procesit, jo duke e kundërshtuar, por duke prirë në rrugën për themelimin e Zajednicës, e cila me marrëveshjet e reja të Kurtit, sipas njohësve të Kushtetutës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ka marrë formë të rrezikshme duke kontestuar edhe statusin vetë shtetit të Kosovës, pasi ajo i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Më 21 tetor 2023, kryeministrit Kurti i është dorëzuar një draftstatut për themelimin e Zajednicës nga 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën e Italinë, të cilin, më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Ky statut, të cilin Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruajë para liderëve evropianë, i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Përmbajtja e plotë e Statutit nuk është bërë ende publike, por ky detaj është zbuluar nga zëvendësi i Kurtit në Qeveri, Besnik Bislimi, më 13 dhjetor 2023, gati dy muaj pas pranimit të dokumentit.

Mbështetja e Statutit të Zajednicës në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së po shihet si fatale për Republikën e Kosovës nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.

“Ajo shihet që nga dispozitat e para ose pjesës hyrëse, preambulës, që është se nuk mund të ndahet nga pjesa operative dhe nuk mund të shikohet nga pjesa operative deri më duket te neni 42, neni diku i parafundit atje që normon arbitrazhin. Nuk mund të jetë Kosova shtet sovran dhe i pavarur dhe të ketë integritet territorial. Ta kuptojë i madh edhe i vogël me Rezolutën 1244 në preambulë të një akti nënligjor, as është Kushtetutë, as është ligj… Nuk mund të jetë shtet sovran dhe i pavarur me një arbitrazh, i cili është miks efektivisht ndërkombëtar, i cili ndan juridiksionet …”, tha Hasani, për RTV21 më 20 dhjetor 2023, vetëm një javë pas deklaratave të Bislimit. /Demokracia.com/