“Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni [NATO-s] në role drejtuese që e mbështesin këtë, është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”.
Është e vështirë të bëhen deklarata kaq të drejtpërdrejta dhe që japin kaq shumë siguri, si kjo e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, dhënë para tri javësh, më 30 nëntor 2023, kur kishte folur për sigurinë në Kosovë pas paralamërimeve për destabilizim të mundshëm në Ballkan, shkruan Demokracia.com.
Lexo më shumë: https://demokracia.com/hovenier-une-fle-rehat-naten-duke-e-ditur-se-ushtaret-amerikan-dhe-kfor-i-jane-ne-kosove/
Por, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i janë rikthyer sërish temës së njëjtë se mund të përballemi me një luftë të re me Serbinë.
Fatkeqësisht, Osmani dhe Kurti po arrijnë që me sukses ta mbajnë Kosovën në mediat e ballinave ndërkombëtare si një vend që mund të rrëshqas në një konflikt të ri. Vetëm gjatë javës së kaluar, Osmani më 13 dhjetor dhe Kurti më 16 dhjetor, kanë folur për lexuesin e huaj për këtë temë.
Por, edhe përkundër se kjo temë ka paralajmërime që duhet të merren me seriozitet të lartë, në shumë raste liderët shtetërorë nuk janë sjellur në përputhje me informacionet që mund të kenë. Vetëm pak ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, por edhe në kundërshtim me Ligjin për Protokollin, të tre liderët shtetërorë, në të njëjtën kohë, kanë lënë Kosovën për vizita jashtë shtetit.
https://demokracia.com/kosova-mbetet-pa-zot-shtepie-te-gjithe-lideret-gjenden-jashte-vendit/
https://demokracia.com/rreziku-ende-nuk-ka-kaluar-paradite-perhapi-panik-per-rrezikun-nga-lufta-pasdite-u-ekzaltua-me-futbollin-ne-tirane/ Presidentja Osmani ka folur para një grupi të gazetarëve në Bruksel, ku ka thënë se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.
Këto komente, Osmani i bëri në Bruksel para fillimit të samitit të rregullt vjetor i liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre nga Ballkani Perëndimor dhe paralajmëroi se “do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim”.
https://demokracia.com/osmani-ne-bruksel-serbia-po-planifikon-sulme-te-reja-ne-kosove/
Vetëm tri ditë më vonë, kryeministri Kurti ka folur një një media tjetër. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri nga ana e Serbisë, kur në një intervistë për mediumin gjerman, Stern, është pyetur se cilat janë gjasat e një lufte të re mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të përjashtojmë një sulm sepse nuk varet nga ne. Por, ne jemi vigjilentë dhe kemi mbështetjen e trupave tona dhe atyre të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmi i shtatorit për të mbajtur vendin tonë të sigurt”, ka potencuar Kurti.
Ky diskurs i tillë, që vjen nga dy zyret më të rëndësishme të shtetit, mund të bartë pasoja negative në imazhin e Republikës së Kosovës dhe për rrjedhojë edhe të sjellë dëme në ekonominë vendore.
Në jo pak raste, ngjarjet që mbajnë vendin nën tension, janë parë si ndikuese në uljen e kapaciteteve për investime të huaja, pasi askush nuk do të dëshironte të investonte në një shtet që mund të përfundojë në konflikt të armatosur.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, të cilët erdhën në pushtet me premtime të mëdha për zhvillim ekonomik dhe lehtësim të jetës së qytetarëve të Kosovës, e kanë gjetur strehën ku mund të fshehin dështimin dhe keqqeverisjen e tyre që nga viti 2021.
Kjo strehë është “lufta”, ndonëse Republika e Kosovës sigurohet nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dhe siç e ka bërë të ditur në një rast ambasadori amerikan, Hovenier, qindra ushtarë amerikanë e mijëra trupa të NATO-s janë garanci e rëndësishme e sigurisë. /Demokracia.com/