Mustafa i PDK-së: Qeveria “Kurti” nuk e ka asnjë projekt të rëndësishëm kapital, po dështon me zhvillim ekonomik

- in Lajme

Pas një diskutimi disa orësh, Kuvendi i Kosovës në orët e vona të së enjtes miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Për këtë projektligj votuan 62 deputetë.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, përkatësisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për Projektbuxhetin e vitit 2024, shkruan Front Online.

Përfaqësuesit e opozitës kanë bërë me dije se nuk do ta përkrahin këtë dokument, duke thënë se i njëjti nuk paraqet interesat e qytetarëve të Kosovës.

Për buxhetin e vitit 2024 për Front Online ka folur Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës

Mustafa: Buxheti është orientuar kah subvencionet, e jo tek investimet kapitale që mund të sjellin zhvillim ekonomik

Buxheti i vitit 2024 është përsëritje e buxhetit të vitit 2023.

Kështu po vlerëson koordinator i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.

“Kjo Qeveri po shihet se është e përcaktuar që ta ndryshojë ndarjen e buxhetit në favor të kategorisë së subvencioneve dhe në dëm të kategorisë së investimeve kapitale që paraqet kategorinë më të rëndësishme për të krijuar kushte për zhvillim ekonomik dhe për rritje të mirëqenies”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas tij, në buxhetin e vitit 2024 nuk ka asnjë projekt të madh .

“Faktikisht deri në shtator të këtij viti janë realizuar vetëm 29% të buxhetit të paraparë për investime kapitale, çka do të thotë që pjesa më e madhe e punëve që janë planifikuar të kryhen në vitin 2023 janë bartur për vitin 2024 dhe pritet që edhe viti 2024 që paraqet vitin e fundit të mandatit të kësaj qeverie të karakterizohet me një papërgjegjësi sa i përket kryerjes së punëve të parapara në buxhet”, ka shtuar ai.

Mustafa, thotë se pavarësisht që investimet kapitale mund të sjellin zhvillim ekonomik, për to po shkon një përqindje mjaftë e ulët e buxhetit.

“Buxheti vëmendjen kryesore e ka të subvencionet, të transferet prej të cilave nuk pritet që të ketë zhvillim ekonomik. Kategoria më e rëndësishme që janë investimet kapitale shihet që po e ul përqindjen apo pjesëmarrjen e saj në buxhet dhe kur kemi parasysh edhe shkallën e ulët të realizimit të investimeve kapitale atëherë shohim që buxheti i vendit edhe në vitin 2024 kryesisht do të shkojë në dhënien e subvencioneve të ndryshme, ndërsa në investime kapitale do të shkojë një përqindje mjaftë e ulët e atij buxheti”, është shprehur ndër të tjera Mustafa.

Mustafa tregon se ku do të duhej të fokusohej buxheti i vitit 2024

Koordinatori i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka treguar se në cilat fusha do të duhej të fokusohej buxheti i vitit 2024.
“Buxheti për vitin 2024 do të duhej të fokusohej më tepër të investimet kapitale dhe jo vetëm në vlerë, por sa i përket projekteve të ndryshme të investimeve kapitale të cilat shohim që kjo Qeveri nuk ka ardhë me asnjë projekt të rëndësishëm kapital të cilin pritet ta realizoj në mandatin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje për sfidat në të cilat po ballafaqohet sektori privat”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka mjaftë sfida dhe se kjo Qeveri siç thotë Mustafa nuk ka asnjë projekt në këtë drejtim.

“Ne kemi sfidat kryesore që po vazhdojnë ta karakterizojnë ekonominë e Kosovës siç është eksporti i ulët, problemet në tregun e punës dhe nuk ka asnjë projekt domethënës për adresimin e këtyre sfidave në të cilat sektori privat do të mund të rimëkëmbej dhe rrjedhimisht kemi një situatë ku infrastruktura po degradon dhe me degradimin e infrastrukturës edhe ambienti për investime në Kosovë po degradon dhe buxheti po orientohet kah skemat e ndryshme sociale dhe subvencioneve të ndryshme të cilat mund të krijojnë një efekt afatshkurtër përderisa zgjasin ato skema”, ka shtuar ai.

Arben Mustafa: Me vlerën e koeficientit prej 110 euro nuk arrihet efekti i dëmit të shkaktuar nga rritja e çmimeve

Koordinatori i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka folur edhe vlerën e koeficientit e cila për vitin e ardhshëm do të ngritët vetëm për pesë euro.
Nga 105 sa ka qenë këtë vit, në vitin 2024 do të jetë 110 euro.

Sipas tij, më këtë rritje nuk do të mund të arrihet efekti i dëmit që është shkaktuar nga rritja e çmimeve.

“Edhe më ketë rritje të koeficientit prej 5 euro, pra në 110 euro prapë nuk do të mundet as të arrihet efekti i dëmit që e ka shkaktuar rritja e përgjithshme e çmimeve. Për, më tepër kemi kategori shumë të ndjeshme sociale siç janë pensionistët, përfituesit e ndihmave sociale e kështu me radhë të cilëve nuk ju kanë përshtatur këto përftime me masën e rritjes së çmimeve, çka do të thotë që fuqia blerëse e këtyre kategorive është zvogëluar ndjeshëm dhe me këtë rast edhe është shtuar niveli apo me thënë më thjesht janë varfëruar krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Mustafa për Front Online.

Projektligji për buxhetin e vitit 2024 është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.

Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.

Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 931.025.963 euro, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 265.445.995 euro, Ministria e Punëve të Brendshme me 216.523.467 euro, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 174.387.768 euro dhe Ministria e Mbrojtjes me 153.049.911 euro.

Sipas Qeverisë së Kosovës, buxheti do të rritet në disa sektorë vitin e ardhshëm, përfshirë: sigurinë, shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin./Demokracia