Opozita i reagon Kurtit për “dredhinë” e Asociacionit: Në 2013 e 2015 s’ka pasur drafte

- in Lajme

Po vazhdon të jetë temë edhe më tej Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës tashmë e ka pranuar një draft të prezantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të cilin, shefi i Qeverisë, Albin Kurti po deklaron se është më i mirë se sa në vitet 2013 e 2015. Por këtu, sipas opozitës, ka një dredhi – çka deklaruan ata?

Kryeministri i Kosovës po e konsideron si të pranueshëm draftin e ri të Asociacionit. Madje, nesër në Bruksel pritet që pikërisht për këtë çështje të diskutojnë kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Së fundi, është publikuar edhe një dokument tjetër për të cilin raportohet se është drafti statuti, ndërkaq mbi këtë çështje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu deklaroi:

Javëve dhe ditëve të fundit kanë qarkulluar në publik tekste të ndryshme të cilat janë raportuar si drafte të propozimit evropiano-amerikan. Si ekzekutiv e kemi të pamundur që të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit prej tyre. Megjithëse për sa na takon neve, drafti i propozuar nga Gjermania, Franca, Italia, BE dhe ShBA-ja tashmë do të duhej të ishte publik, ne do të respektojmë konfidencialitetin e tij sipas kërkesës së shteteve sponsorizuese.” – ka thënë ai për “Klan Kosova”.

Çka po thotë opozita?

Fillimisht, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i reagoi të martën Qeverisë, duke thënë se përpjekjet për ta justifikuar pranimin e Asociacionit janë “qesharake”.

Më tutje, ajo tha se në vitin 2013 e 2015 nuk ka pasur statut.

“Kryeministër, as në 2013 e as 2015 NUK ka pasur STATUT për asociacionin. Statuitin e sollët ju. E tash, publikojeni nëse na qenka aq i mirë. Pak transparencë.” – ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Haliti, po konsideron po ashtu se këtu ka një dredhi.

“…Në vitet 2013 dhe 2015 kishte përvijime të Asociacionit, por jo drafte. Po dalka të jetë më i mirë se ata që nuk ekzistojnë. Rrengu nuk kalon! Thjesht, le të përgjigjen: a është apo nuk është ky Drafti që u është dhënë dhe e kanë pranuar? Apo nuk e kanë pranuar? Nuk po e bën publik Draftin e po pret që dikush t’i besojë se është i mirë. Kjo s’ka kuptim. Pse? Sepse Qeveria, Kurti me të vetët, kanë thënë me vjet se s’e bëjnë fare Asociacionin (Zajednicën). Domethanë po e bëjnë të kundërtën e asaj që kanë thënë. Po e prishin kontratën me votuesit e vet. Janë të pabesueshëm edhe për ta. Për të tjerët edhe ashtu kanë qenë të pabesueshëm.” – ka shkruar ai.

Vlen të theksohet se as Bashkimi Evropian nuk e ka komentuar publikimin e dokumenteve në lidhje me Asociacionin.

Ndërkaq, gjatë javës së kaluar emisari evropian, Miroslav Lajçak qëndroi në Kosovë ku takoi krerët e partive opozitare.

Me këta të fundit, ai diskutoi për Asociacionin dhe draftin e ri, megjithatë, nga LDK e PDK deklaruan se nuk e kanë parë dokumentin e plotë./Demokracia