Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur pas takimit me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Krasniqi ka deklaruar se Lajçak i informoi që drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Patëm një takim me emisarin Lajçak, ishte takim informues lidhur me rrjedhën e procesit të dialogut. Emisari shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së, që drafti i Asociacionit që i është propozuar Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk shkon përtej vijave të kuqe”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së shtoi se nuk patën mundësi që ta shohin dhe ta konsultojnë tekstin integral të draftit për Asociacionin, shkruan Telegrafi.
“Takimet tona do të vazhdojnë, por shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezentë për arsye se nuk jemi të njoftuar për detaje e siç thotë një shprehje “dreqi fshihet në detaje”, neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt që një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë”, tha Krasniqi.