S’ka projekte, Kurti shfaqet i gëzuar për hekurudhën që e nisën qeveritë e kaluara

- in Lajme

Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shfaq i lumtur deri sa me zyrtarë të tjerë të Qeverisë ishin ngujuar në një vagon treni me rastin e ceremonisë së përurimit të tuneleve 6 dhe 7 dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

Por, gëzimi i Kurtit nuk ishte një gëzim për ndonjë projekt të nisur nga Qeveria e tij. Në fakt, linja hekurudhore Fushë Kosovë – Han i Elezit është një projekt i qeverive të kaluara, i nisur atëherë kur Kurti ishte ende në opozitë, shkruan Demokracia.com.

Tashmë është e ditur se kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk po arrijnë të nisin asnjë projekt serioz infrastrukturor.

Autostradat ndërshtetërore, rrugët magjistrale që lidhin qytetet e Kosovës apo edhe rrugët në çdo fshat, shkollat në secilin vendbanim e shtëpitë e shëndetit për çdo komunë, po mbesin projektet e vetme të qeverive të kaluara që po i gëzojnë qytetarët e Kosovës.

Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fushë Kosovë – Han i Elezit, linjë që ishte në riparim qysh në vitin 2019, pritej të përfundonte në vitin 2021. Zvarritjet e punimeve lidhen me një varg arsyesh, përfshirë pandeminë e koronavirusit.

Kjo linjë hekurudhore në drejtim të Maqedonisë së Veriut është e vetmja që ka lidhur Kosovën me një vend të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, Demokracia.com ka mësuar nga burime brenda Hekurudhave të Kosovës që tunelet e përuruara sot nga Kurti, nëse shihen nga afërsia, vërehen se ende nuk janë të përfunduar si duhet./Demokracia