Ja çfarë deklaroi deputeti Avni Dehari për Zajednicën e pranuar nga Albin Kurti

- in Lajme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, nuk ka pranuar të përfshihet gjatë në debatin që po zhvillohej në Kuvendin e Kosovës më 3 nëntor 2023, me rastin e raportimit të kryeministrit Albin Kurti për takimin e 21 tetorit 2023, me 5 emisarët nga ShBA-ja, BE-ja, Gjermania, Franca dhe Italia.

Në seancën e së premtes, për 9 orë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Opozita ka qenë mjaft e zëshme që kryeministri Kurti ka pranuar të themelojë Zajednicën apo Asociacionin e Komunave e Shumicë Serbe, një projekt që ai e ka kundërshtuar dhunshëm përgjatë një dekade të opozitarimit të tij, shkruan Demokracia.com.

Edhe pse komenti i deputetit Dehari ka qenë i shkurtër, ai si rrallëherë ka folur për këtë marrëveshje të pranuar nga kryeministri Kurti.

“Nuk do të përfshihem në polemikat që po zhvillohen këtu lidhur me Asociacionin dhe me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel. Mossuksesin e qeverive të kaluara, në kontekst me Asociaiconin, fjalët e mia dhe të askujt nuk e zbehin më shumë sesa është. Por, edhe sukseset e qeverisë aktuale, çdo fjalë që mund të përdoret në këtë Kuvend nuk mund të mos e lartësojnë”, ka thënë Dehari më 3 nëntor 2023, në Kuvendin e Kosovës.

Fjalimi i deputetit Dehari [03:46:00] https://www.youtube.com/watch?v=xcer-rt_-FY

Deputeti i VV-së, Avni Dehari, ka folur edhe lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga një grup terroristësh serb, i cili udhëhiqej nga Milan Radojçiq.

“Po dëgjojmë zëra se suksesi i Qeverisë së Kosovës me rastin e ndërhyrjes së grupit terrorist nga Serbia në Kosovë qenka vetëm i Policisë së Kosovës, para së cilës përkulem me respektin më të madh. Por, nuk qëndrojnë argumentet e mohimit të rolit të Qeverisë së Kosovës, sepse kjo Polici ka qenë edhe më herët, por ka dështur në veriun e Kosovës. Këtë e mohon me argumente bindëse edhe një thënie e Aleksandrit të Madh, ushtarakut me përmasa botërore kur thotë se “Më mirë është të kesh një ushtri prej delesh, por me një komandant luan, sesa të kesh një ushtri prej luanësh, e të ketë për komandant një dele”. Argumentet flasin vetë, realiteti flet për këtë”, ka thënë Dehari.

Dehari ka lexuar një letër, që siç ka thënë ai është e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke sjellur zërin e tyre për shqetësimet që kanë dhe vlerësimet për përpjekjet e Kosovës për ndihmën e dhënë. /Demokracia.com/