Demostat: Njohja de facto e Kosovës s’paraqet asgjë të re për Serbinë, është sa për ta arsyetuar Asociacionin

- in Lajme

Njohja de facto e Kosovës nuk paraqet ndonjë gjë të re dhe as shenjë se Beogradi zyrtar do të braktis qëndrimin se “Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.

Kështu të paktën shkruan mediumi opozitar serb, Demostat, i cili duke u thirrur në burime brenda qarqeve diplomatike thekson se Marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013, përfaqësonte njohjen e realitetit të ri në Kosovë, meqë Serbia, ndër të tjera, ishte pajtuar që komunat me shumicë serbe në Veri të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Për përkujtim, kjo është bërë me dy garanci: Të gjitha çështjet gjyqësore janë sipas ligjit të Kosovës, por serbët e Kosovës duhet të jenë shumica e paneleve të caktuara gjyqësore; Këshilli është në Mitrovicën e Veriut; Të gjitha punët policore duhet të kryhen nga Policia e Kosovës, por komandanti rajonal i policisë në zonat me shumicë serbe duhet të jetë serb i Kosovës i përzgjedhur nga lista e ofruar nga komunat serbe të Kosovës”, thotë burimi i Demostat.
Termi njohja de facto i përdorur rishtazi në Marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë (Brukselit/Ohrit), siç shkruan Demostat, është një monedhë që Perëndimi e ka menduar në radhë të parë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, sepse në këtë mënyrë ai do të ketë më të lehtë të shpjegojë në terren se është e nevojshme që përfundimit të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe./Demokracia