Në faqen e tyre në rrjetin social ‘Facebook’, Ndërmarrja “Trepça” doli me një komunikatë se minatorët kanë ndërprerë grevën, por Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së “Trepçës”, në një deklaratë për Albanian Post ka përgënjeshtruar këtë njoftim, duke e quajtur krejtësisht të pavërtetë.
“Grevën nuk e kemi ndërprerë vazhdojmë me kërkesat e ngjashme, pavarësisht që gjendja shëndetësore e minatorëve është jashtëzakonisht e vështirësuar, jemi të palëkundur kërkesat tona”, ka deklaruar për Albanian Post Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi.
Në fakt “Trepça sh.a”, provoi të mjegulloi opinionin publik duke shkruar se grevën e kanë ndërprerë “minatorët e Artanës dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”, por grevistët që po kërkojnë shkarkimin e kryeshefit të bordit, Enis Abdurrahmani, përmirësimin e kushteve të punës dhe paga me rregullë, nuk janë as ata të Kishnicës e as ata të Artanës.
“Ne jemi minatorët e Trepçës apo minatorët e Stantërgut që po qëndrojmë në grevë tash e nëntë ditë”, sqaroi Januzi.
Ai ishte udhëheqës i delegacionit të minatorëve që u takuan të martën me deputetët e Kuvendit të Kosovës, por që mbledhja e komisionit përfundoi pa një rezultat, meqë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje refuzonin të merrnin vendim për përkrahjen e kërkesave të tyre pa një opinion nga Qeveria e Kosovës fillimisht.
“Akoma s’kemi marrë asgjë konkrete nga institucionet për realizimin e kërkesave tona”, tregoi Januzi.
Greva, e përbërë prej 300 minatorëve dhe punëtorëve të “Trepçës” po vazhdon dhe është futur në ditën e nëntë./Demokracia