“Dita D” e takimeve të rëndësishme të nivelit të lartë të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq me liderët e shteteve kryesore evropiane po kalon nëpër një ‘muzg informativ’, me krejt pak informacione që kanë dalë nga korridoret e sallave të mëdha të takimeve.
Ajo që është marrë vesh deri më tani, nga gazetarët dhe mediat vendore e të huaja që po qëndrojnë në Bruksel ka të bëjë me faktin se Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime të ndara me liderët perëndimorë dhe pastaj me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, por për mbarëvajtjen e këtyre takimeve, askush nuk tha asgjë, shkruan Paparaci.com.
Kurti dhe Vuçiq, kanë hyrë e kanë dalë, kanë ikur e janë rikthyer në takime pa u ndalur dhe pa thënë asnjë fjalë para mediave të shumta pranë dhe brenda hotelit ku po zhvillohen diskutimet në Bruksel.
vetmi që theu heshtjen deri më tani është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar propozimin evropian si rrugëdalje për zhbllokimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Gjithashtu, lidhur me takimet është deklaruar edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e cila është shprehur se nga palët kanë kërkuar zbatimin e marrëveshjeve për të cilat të dy liderët kanë rënë dakord.
Rëndësinë që gjithçka të shkojë sipas dialogut dhe normalizimin si çështje thelbësore e vendosi edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, i cili ndau edhe fotografi nga takimet e Kurtit dhe Vuçiqit me kryeliderët e Evropës.
Në anën tjetër, kontributin më të madh në informim, Bashkimi Evropian e bëri duke postuar disa video të Kurtit dhe Vuçiqit teksa futeshin në sallën ku u zhvilluan takimet e tyre me liderët evropianë, ndërsa pjesa përmbajtjesore e këtyre takimeve, mbetet në muzg të informacionit./Demokracia