NJSI kërcënon me largim, Qeveria e deputetët e pushtetit përbuzin Policinë dhe nuk marrin pjesë as në seancën ku flitet për ta

- in Lajme

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës mbrëmë bojkotuan “Darkën e Lamës” të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, në Kampin e Njësive Speciale “Enver Zymberi”.

Ata janë të pakënaqur me kushtet e punës, mungesën e pagesës së rrezikshmërisë, mungesën e sigurimit shëndetësor, por edhe me kushtet e këqija në kamp, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com ka pyetur një pjesëtar të njësisë më elitare të Policisë së Kosovës se përse e bojkotuan darkën e presidentes Osmani, përgjigjja e tij ishte se “ky është vetëm fillimi.

Demokracia.com ka mësuar se pjesëtarët e NJSI-së nuk do të largohen nga Policia për shkak të situatës së tensionuar në veri të vendit.

“Kemi shumë pakënaqësi, por nuk do ta lëmë policinë për shkak të gjendjes aktuale në veri. Kemi shumë arsye për ta bërë, por nuk e tradhëtojmë vendin”, tha ai në kushte anonimiteti.

Demokracia.com për këtë cështje ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Kuvendi i Kosovës po e mban seancën e jashtëzakonshme, ku po trajtohet draft-rezoluta për mbështetjen financiare për Policinë e Kosovës.

Ky draft u propozua nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.

Në seancë janë deputetët e opozitës, ndërsa po mungojnë ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nëpërmjet kësaj rezolute kërkohet pagesa e shtesave të rrezikshmërisë për policët.

Po ashtu, kërkohet edhe sigurim shëndetësor dhe miratim i Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm./Demokracia