“Pezullohen vizitat bilaterale, përveç atyre për dialogun me Serbinë” | Takimi Kurti – Scholz “në kuadër të sanksioneve” evropiane

- in Lajme

Në muajin e katërt të sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, kryeministri Albin Kurti pritet të takohet në Tiranë me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Sipas sanksioneve, liderët e shtetit të Kosovës nuk do të kenë mundësi të realizojnë vizita bilaterale në shtetet anëtare të BE-së. Vizitat bilaterale janë pezulluar, përveç rasteve kur ato kanë të bëjnë me dialogun apo në margjina të forumeve multilaterale, shkruan Demokracia.com.

Megjithëse disa analistë mbështetës të Kurtit po mundohen ta paraqesin këtë takim si një “thyerje” të sanksioneve, në fakt takimi Kurti – Scholz është pikëtisht në kuadër të sanksioneve evropiane për dy arsye.

Së pari, takimi Kurti – Scholz nuk realizohet në kuadër të një vizite bilaterale në Kosovë apo Gjermani, por në një shtet tjetër, gjatë zhvillimit të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për “Procesin e Berlinit”.

Së dyti, ky takim vjen edhe si domosdoshmëri për të rinisur dialogun Kosovë – Serbi, pas sulmit të një grupi terrorist serb më 24 shtator 2023. Pra, ky takim mund të shihet edhe si takim “që ka të bëjë me dialogun”.
Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, më 16 tetor 2023 do të mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së. / Demokracia.com