Ekziston potenciali dhe mbështetja nga shteti i Serbisë për grupet paramilitare për të organizuar një sulm tjetër në veri, ka thënë Skender Perteshi nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të rrisin vigjilencën në atë pjesë të vendit.
Më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës parandaloi një sulm që u vlerësua masiv në bazë të arsenalit të armëve të kapura. Gjatë të shtënave, vdiq rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. U arrestuan disa anëtarë të grupit paramilitar serb që morën pjesë në sulm.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Perteshi ka thënë se përveç institucioneve të Kosovës, edhe ndërkombëtarët duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë për planifikimet e tilla.
“Nuk është befasi asgjë që vjen nga Serbia, qoftë nga shteti apo grupet paramilitare. Institucionet e parandaluan një sulm masiv muajin e kaluar. Këtë humbje nuk do ta pranojë aq lehtë Serbia. Rreziku, potenciali, logjistika dhe mbështetja për grupet paramilitare vazhdon nga shteti i Serbisë. Nuk mund të mohohet se ka planifikimet për sulme prapë në atë pjesë. Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre në atë pjesë, të bashkëpunojnë me KFOR-in që të parandalohen sulme të tilla. Potenciali për një sulm të tillë prapë ekziston. Institucionet duhet të rrisin vigjilencën në atë pjesë dhe të mbrojnë qytetarët tanë serbë atje”, ka thënë ai.
Perteshi ka vlerësuar se arrestimi i Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit në Banjskë, nga autoritetet në Serbi është gjithçka propagandë dhe fabrikim.
Sipas Perteshit, pjesa e sigurisë në veri është përgjegjësi e KFOR-it. Dhe ai konsideron se ka qenë dështim i misionit të NATO-s moszbulimi i planifikimit të këtij sulmi.
“KFOR-i është një garantues i sigurisë. Ka qenë një lloj dështimi i KFOR-it që nuk ka arritur të identifikojë planin e atij grupi kriminal. Duhet të rritet edhe niveli e gatishmëria e KFOR-it për të parandaluar sulme të tilla. Menaxhimi i situatës në veri ka qenë e drejtë e Policisë, por gjithë ai arsenal armësh ka qenë përgjegjësi dhe dështim i KFOR-it”, ka shtuar ai.
Perteshi ka propozuar që Qeveria të ndërpresë komplet bashkëpunimin me Listën Serbe, pasi këta të fundit kërkuan sot të shpallen zgjedhjet e reja në veri.
“KQZ-ja duhet të japë një opinion nëse do t’i lejohet pjesëmarrja në zgjedhje atyre”, ka thënë Perteshi./Demokracia