Kusari dhe Kurti e kanë pranuar bisedën, por ministrja Haxhiu nuk ka turp të gënjejë publikisht: Mimoza nuk ka biseduar me Radojçiqin

- in Lajme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka gënjyer publikisht të enjtën mbrëma në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, kur ka folur lidhur me komunikimin e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, me kriminelin e veriut, Milan Radojçiq.

Haxhiu ka pasur guximin që të mohojë bashkëbisedimin me telefon Kusari – Radojçiq përmes deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, edhe pse ky bashkëbisedim është konfirmuar nga vetë protagonistja e audioincizimit, Mimoza Kusari – Lila, por edhe nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

“Mimoza nuk është takuar me Radojçiqin, as nuk ka biseduar me të. Ka pasur me të tjerë që e kanë takuar, e kanë pritur në zyre ndoshta edhe në shtëpi. Në ato incizime kjo flet me Simiqin, i gjithë diskutimi është votimi i ligjeve”, deklaroi Haxhiu mbrëmjen e 5 tetorit 2023.

Bashkëbisedimi me telefon mes Kusari-Lilës dhe kriminelit të kërkuar nga veriu, Milan Radojçiq, është konfirmuar nga vetë Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila.

“Kjo biseda e shkurtër 3-minutëshe në gjuhën shqipe në interfon në zyrën time [me Milan Radojçiq], ka qenë vetëm një herë kjo bisedë, asnjëherë tjetër nuk ka pasë as komunikim, as koordinim”, kishte deklaruar Kusari – Lila më 10 korrik 2023.

Vetëm dy ditë më pas, kjo bisedë është konfirmuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte marrë nën mbrojtje publike Kusari – Lilën për koordinimin e punëve të Vetëvendosjes me Listën Serbe.

“Ajo bashkëbisedon me shefat e grupeve, ajo e ka obligim që të sigurojë sa më shumë vota… Gjatë takimit që ajo ka pasur [me Slavko Simiq] kur ata ishin në Kuvend, aty asaj i është lëshuar në interfon [Milan Radojçiq] që s’mund të thuhet se është takim, pushteti jonë është demokratik dhe i pavarur”, deklaronte Kurti më 12 korrik 2023.
Publikimi i audioincizimeve e ka nxjerrë në publik një nga skandalet më të mëdha të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Audioincizimet dëshmonin qartë se derisa kryeministri Albin Kurti mbante në Kuvend fjalime të zjarrta kundër Milan Radojçiqit, të cilin e quante kriminel, në prapaskenë ekzistonte një botë tjetër e koordinimit dhe bashkëpunimit. /Demokracia.com/