Milan Radoiçiq pranon se mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

- in Lajme

Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.

“Unë Milan Radoiçiq, për shkak të spekulimeve të shumta që kanë dalë informoj tërë publikun se bashkë me bashkëpunëtorët e mi nga Kosova më 24 shtator kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte ta shtyjmë popullin tonë në rezistencë ndaj terrorit të Kurtit, ta mbrojmë popullin tonë që po nënshtrohet atij terrori për çdo ditë dhe krijimin e kushteve për lirimin e popullit tonë në veri të Kosovës. I njoftoj të gjithë, nga Kurti deri te ndihmësit e tij ndërkombëtare se personalisht jam pajisur  me pajisjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë nga okupatori dhe qëllimi im nuk kishte kurrfarë qëllimi tjetër dhe nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin tim politik paraprak”, ka thënë ndër të tjera në letrën e tij. Për këtë nuk e kam informuar askënd as nga strukturat e Qeverisë së Serbisë dhe as nga strukturat lokale në veri të Kosovës he as nuk kam pasur nga ta asnjë ndihmesë, sepse deri atëherë kemi pasur pikëvështrime të ndryshme sa i përket rezistencës ndaj terrorit të Kurtit. Disa herë jemi tërhjekur pa rezultatet e duhura sepse na është thënë sepse në atë mënyrë do ti shërbejmë deeskalimit dhe qeë KFOR  dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrin krejt çka është e nevojshme që të mbrojnë popullin serb. Megjithatë, qetësimin e situatës nga ana jonë, pala tjetër nuk e ka kuptuar si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për bisedime, por si dobësi. Si rezultat i kësaj nga dita në ditë janë rritur aktivitetet e forcave të Kurtit të cilat në mënyrë jolegjitime kanë okupuar veriun e Kosovës, duke qëlluar dhe maltretuar civilët, arrestimet pa asnjë arsye dhe demonstrimi i forcës ndaj popullit serb. Në një atmosferë të tillë kam vendosur për këtë akt sepse Kosova e Metohija është vendi im, shtëpia ime, dhe populli serb po përndjekjet me qëllim të caktuar që veriu të spastrohet etnikisht. Kemi qenë të detyruar që të mbrojmë jetët e bashkëqytetareve tanë dhe ti tregojmë Qeverisë së Kurtit dhe bashkësisë ndërkombëtare se këtë terror të Kurtit populli serb nuk e duron. Le ta kenë të gjithë të qartë se nuk jemi terroristë, por luftëtarë për lirinë e popullit tonë. Jam dorëheqje nga pozita ime në Listën Serbe”, thuhet në letrën e tij.

Kush është Millan Radoiçiqi?

Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur tre sulmues.

Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.

Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt./Demokracia