Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbetur anash në ngjarjen e 25 shtatorit në veriun e vendit, ku Policia e Kosovës triumfoi mbi sulmin terrorist të një grupi të madh serbësh të armatosur rëndë, shumica e të cilëve u lanë të ikin në Serbi.
E ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja Osmani nuk ka arritur të luajë ndonjë rol në këtë triumf të Policisë së Kosovës dhe as të marrë ndonjë vëmendje sikur kryeministri Albin Kurti. Osmani kishte ndërprerë vizitën në Nju Jork, por ajo u kthye nga Amerika e largët vetëm kur ngjarja pothuajse kishte përfunduar, shkruan Demokracia.com.
Osmani, e cila zakonisht qëndron e heshtur në ngjarje që nuk gëzojnë popullaritet, kësaj radhe është vonuar për të marrë ndonjë meritë.
Në këtë situatë, presidentja Osmani ka bërë lëvizjet e saj për t’u përfshirë në këtë ngjarje.
Në ditën e tretë pas ngjarjes, të mërkurën e 27 shtatorit, Osmani ka ftuar në takim kryetarët e partive politike parlamentare për të diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.
Kësaj ftese i janë përgjigjur kryetarët e partive të mëdha opozitare. Osmani është takuar deri më tash me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe pritet të takohet edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.
Nuk dihet nëse presidentja i ka ftuar në takim edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. /Demokracia.com/