“Dënoni sulmet mbi Lajçakun” | Osmani dhe Kurti nuk përfillin kërkesën e ShBA-së

- in Lajme

As presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti, nuk kanë dëgjuar kërkesën e të dërguarit të posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që të dënojnë sulmet mbi ndërmjetësuesin evropian të dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kjo kërkesë e bërë e ditur në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës dhe e publikuar mëngjesin e datës 21 shtator 2023, ka kaluar në heshtje dhe pa asnjë reagim nga drejtuesit shtetërorë, shkruan Demokracia.com.

Fushata kundër ndërmjetësuesit evropian, sidomos në rrjete sociale nga zyrtarë të Vetëvendosjes, është shpeshtuar pas konferencës së fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Vetë kryeministri Kurti ka drejtuar akuza të rënda në adresë të ndërmjetësuesit evropian, më 18 shtator 2023, pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia ishin thirrur për t’u dakorduar për rrugën e zbatimit të planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

Kryeministri Kurti ka paraqitur kërkesën publikisht për zëvendësimin e Lajçakut, me arsyetimin se “nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë, i njëanshëm, aspak neutral e korrekt”.

Kurti është treguar i ashpër me Lajçak, duke e akuzuar atë për pozicionim të qartë kundër Kosovës dhe favorizimin të pozicionit të Serbisë.

Ndryshe nga Kurti, presidentja Osmani nuk ka shprehur publikisht qëndrimet e njëjta me ato të kryeministrit. Përkundrazi, ende pa kaluar dy-tri ditë nga kritikat e Kurtit, Osmani është takuar dy herë në Nju Jork me ndërmjetësuesin Lajçak. Në këto takime, ajo ka shprehur shqetësimet për masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja dhe nevojën që ato të largohen, por askund nuk ka treguar nëse ka ndarë shqetësimet e njëjta me shefin e Qeverisë.
“Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, kishte kërkuar Escobar nga Osmani dhe Kurti. /Demokracia.com