Identifikohen dy të miturit të dyshuar për dy grabitje në Prishtinë, dërgohen në mbajtje

- in Lajme

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë grabitjet dhe vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ndodhi së fundi me dy të mitur në Prishtinë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në dy raste të grabitjeve.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohen dy të dyshuarit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Të njëjtat burime njoftojnë se dy të miturit dyshohet se nën kërcënimin e thikës kanë grabitur katër persona në dy raste të ndryshme.

Në kuadër të veprimeve hetimore, ata janë intervistuar nga organet e hetuesisë, ku gjatë dhënies së dëshmisë kanë pranuar se kanë kryer veprat për të cilat dyshohen.

Me urdhër të prokurorit, dy të miturit janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Po ashtu, sipas informacioneve që posedon Sinjali, po vazhdojnë kërkimet edhe për personin e tretë që dyshohet të jetë përfshirë në këto raste.

/GazetaSinjali/