Një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, e dhënë në prezencë të presidentes Vjosa Osmani, ka zbuluar një detaj të rëndësishëm, por që nuk është pranuar nga drejtues të institucioneve të Kosovës.
Albin Kurti e ka mbajtur të fshehur dakordimin e tij që Policia e Kosovës për aksionet e saj në veriun e Republikës së Kosovës, duhet të konsultohet me NATO-n, respektivisht trupat e saj në Kosovë, KFOR-in.
“Në linjë me përkushtimin e Prishtinës nga viti 2013, çfarëdo zbarkimi FSK në veri kërkon miratimin e KFOR-it. Dhe presim në kohë konsultim për çfarëdo veprimi të Policisë dhe FSK që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë”, njoftoi Stoltenberg, më 7 shtator 2023.
Një deklaratë e tillë e Sekretarit të NATO-s, tregon për kufzimin e rolit të Policisë së Kosovës në një pjesë të territorit të saj.
E gjithë kjo situatë për këtë pjesë të territorit të Kosovës vjen pas zgjedhjeve të 23 prillit 2023 për kryetarët e katër komunave, në të cilat fituan katër kandidatë shqiptarë dhe që u vendosën në ndërtesat komunale duke ngjallur reagimin e serbëve që kishin bojkotuar zgjedhjet. Situata e sigurisë u përshkallëzua ndjeshëm.
Veprimi i njëanshëm i kryeministrit Kurti, pa dakordimin paraprak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, u kritikua ashpër prej tyre dhe kjo solli edhe sanksionimin e shtetit të Kosovës.
Kufizimi i rolit të Policisë së Kosovës nuk është disfata e vetme e Kurtit dhe shtetit të Kosovës për të qenë plotësisht sovran në kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.
Bashkë me reduktimin e Policisë së Kosovës po shtohet prezenca e forcave të Misionit të BE-së në Kosovë, EULEX-it.
“Sipas vlerësimit tonë, prania e Policisë Speciale të Kosovës në veri është zvogëluar jashtëzakonisht dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i ka shtuar praninë edhe në veri – tani keni patrullat e dukshme që synojnë plotësoni boshllëkun e krijuar pas shkarkimit të policëve serbë nga puna në fund të majit 2023”, ka njoftuar më 3 gusht 2023 shefi i EULEX-it, Giovani Pietro Barbano.
Lexo më shumë: https://demokracia.com/shefi-i-eulexit-policia-speciale-e-kosoves-eshte-reduktuar-ndjeshem-ne-veri-ne-e-kemi-shtuar-pranine/
Prezenca e shtuar e EULEX-it në veriun e Kosovës ka ardhur pas Marrëveshjes në Bratisllavë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për hapat që duhet të ndërmerren në de-përshkallëzimin e situatës së sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.
Me këtë marrëveshje, përveç KFOR-it, Qeveria Kurti i ka dhënë rol misionit evropian, EULEX-it, për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në këtë pjesë të territorit të shtetit të Kosovës.
“Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës më 11 korrik 2023.
Mbështetja e institucioneve kosovare në misionin evropian, bëhet edhe më e komplikuar kur është i njohur për të gjithë qëndrimi i ashpër i Kurtit për rolin e EULEX-it, si një mision që është kundër shtetit të Kosovës./Demokracia