“Ky nuk është kërcënim është informim në raport me partnerët tanë, nëse nuk janë të kënaqur me veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, apo të presidentes, apo institucioneve në përgjithësi, ndëshkimi nuk duhet të jetë në lidhje me popullin e Kosovës”.
Kjo është deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e dhënë në një intervistë për Top Channel, më 4 shtator 2023, gjatë kohës së vizitës zyrtare në Tiranë, kur është pyetur lidhur me kërcënimin e saj ndaj presidentit francez, Macron, që kishte paralajmëruar mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për kosovarët. Ndaj këtij qëndrimi francez, kishte reaguar Osmani, duke e konsideruar një vendim që do ta vriste dialogun Kosovë – Serbi, shkruan Demokracia.com.
Por, çfarë nënkupton kjo deklaratë e presidentes Osmani?
Nëse nuk duhet të sanksionohet një vend, pra që përfshinë qytetarët e atij vendi, atëherë kush duhet të vuajë pasojat e veprimeve të politikanëve?
A duhet që politikanët të bartin barrën e përgjegjësisë për veprimet e tyre?
A është kjo një thirrje e pavetëdijshme e presidentes Osmani për ta ndëshkuar kryeministrin Albin Kurti dhe të tjerët për veprimet e tyre që sollën sanksionet e para mbi Kosovën?
Sigurisht se për këto dhe shumë pyetje të tjera duhet të përgjigjet e qartësojë presidentja Osmani, e cila po ndjekë rrugën e Kurtit duke pakësuar prezencën në media dhe ballafaqimin e drejtpërdrejtë me gazetarët.
Kjo deklaratë e presidentes Osmani, ka rikthyer në vëmendje sanksionet e rënda mbi Kosovën, e të cilat përfshijë pezullimin e fondeve IPA 2024, përjashtimin e Kosovës nga takimet e nivelit të lartë dhe pezullim të vizitave bilaterale. Gjithashtu, nuk janë marrë parasysh as propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) si dhe është pezulluar puna e trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Përveç këtyre sanksioneve zyrtare të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe që në heshtje janë pranuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediet kanë raportuar gjatë kohës sa shqyrtoheshin masat ndëshkuese për Kosovën se ato do të mund të përfshinin edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Xhelal Sveçla, përfshirë këtu edhe shpalljen e tyre “non grata”, nëse përshkallzohen tensionet, “me justifikimin se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
Pas këtyre lajmeve, mediet kanë pyetur edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, të cilët nuk kanë hequr dilemat lidhur me raportimet, duke u mjaftuar me deklarimin se “nuk parashikojmë veprimet e sanksioneve”.
“Departamenti nuk parashikon nëse do të sanksionojë individë apo subjekte, as nuk parashikon nëse planifikon të vendosë sanksione ndaj individëve apo subjekteve”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Deri më tani, situata në veriun e Kosovës nuk ka ndryshuar edhe mbetet pezull deri në ndërmarrjen e hapave konkret që do ta përshkallëzonin gjendjen e sigurisë.
Së fundmi, Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal, ka nxjerrë një Udhëzim Administrativ me të cilin synohet që të shkohet në shkarkim të kryetarëve shqiptarë që morën mandatin pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe zgjedhje të reja, ku do të merrnin pjesë edhe qytetarët serbë. /Demokracia.com/