Osmani përmend domosdoshmërinë e njohjes reciproke, por “harron” që mbështeti marrëveshjen Kurti-Vuçiq që ia lejon Serbisë të mos e njoh Kosovën

- in Lajme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdon të shfaq qëndrime kontradiktore edhe kur ajo flet për të njëjtën temë. Së fundmi, nga Tirana, presidentja Osmani ka kërkuar që dialogu Kosovë – Serbi ta përmbajë njohjen reciproke ndërshtetërore, por ka “harruar” se në marsin e këtij viti ajo ka përshëndetur Marrëveshjen Bazë të 27 Shkurtit në Bruksel dhe Aneksin në Ohër, Kurti – Vuçiq, që nuk e përmban këtë njohje.

Për më keq, këto marrëveshje ia largojnë këtë barrë Serbisë dhe presionin për njohje që zakonisht i bëhej nga zyrtarët e Brukselit dhe Uashingtonit. Tani, askush më nuk po flet për një proces negociator që në fund do të sjellë njohje reciproke ndërshtetërore. E gjithë vëmendja dhe presioni ndërkombëtar mbi palët është reduktuar në një qëllim: zbatimi i marrëveshjeve, shkruan Demokracia.com.

Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenjta Osmani ka potencuar domosdoshmërinë për njohje reciproke si kusht për paqe.

“Dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por natyrisht që rruga e vetme që sjellë paqe e stabilitet afatgjatë për të gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke”, ka thënë Osmani të martën më 4 Shtator 2023.

Por, disa muj më herët, presidentja Osmani ka mbështetur Marrëveshjen Bazë të arritur në Bruksel më 27 Shkurt 2023 dhe Aneksin që njihet si Marrëveshja e Ohrit më 18 Mars 2023.

Në atë kohë, Osmani kërkonte që komuniteti ndërkombëtar t’i bënte presion Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, që t’i zbatojë ato për të cilat ishte dakorduar, të cilat për Presidenten e Kosovës përbënin ‘njohje de-facto të Kosovës’.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës – sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, ka thënë Osmani më 22 Mars 2023.

Që ‘njohja reciproke’ nuk është askund në marrëveshje është pranuar në disa raste edhe nga vetë kryeministri Albin Kurti.

Më 18 Maj 2022, Kurti shtynte nevojën për njohjen nga Serbia, nëse sipas tij “nuk është e mundur për momentin”, duke u mjaftuar vetëm në njohje të dokumenteve.

“Duhet që Serbia të njoh dokumentet tona. Presidenti Vuçiq mundet së paku të njoh dokumentet tona. E di që ata thonë se me njohjen e dokumenteve mund të thuhet se ka ndodhur njohja e Kosovës. Do të doja që më të vërtetë të na njohin sa më shpejtë. Por, nëse nuk e mundur për momentin, të jetë si shtete tjera sikur Greqia e të tjera, që nuk na njohin, na njohin dokumentet”.

Edhe Kurti, para ndryshimit të këtij qëndrimi, në nëntor të vitit 2022, kishte deklaruar se “njohja reciproke me Serbinë është në qendër”.

“Unë e kam vërejtur në takimet rajonale, por edhe me palën serbe se argumentet e tyre janë veç ato që ua kanë dhënë paraardhësit e mi. Ka një ndryshim të madh këtë vit me vitin e kaluar sa i përket qasjes me dialog. Njohja reciproke me Serbinë është në qendër. Nuk vjen njohja në fund të procesit, por është në qendër të marrëveshjes dhe ky është një ndryshim tektonik për Kosovën”, pati thënë Kurti më 10 Nëntor 2022.

Se nuk ka njohje në të ardhmen në marrëveshjen që Kurti ka nënshkruar është pranuar edhe në një rast tjetër nga ai. Sipas tij, as plani franko-gjerman që solli më vonë marrëveshjet, nuk e ka njohjen nga Serbia. /Demokracia.com/