Në më pak se një muaj nga vendosja, me ndihmën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, e kryetarëve shqiptarë të komunave të veriut të Kosovës në objektet komunale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është tërhequr nga mbështetja institucionale që ata t’i çojnë mandatet e tyre deri në fund. Ai është pajtuar që në këto komuna të mbahet një proces i ri votimi, me shpresën se nuk do të bojkotohet nga serbët, por deri më tani rruga që shpie në zgjedhje të reja është e paqartë për shkak të legjislacionit të mangët, shkruan Demokracia.
Për këto arsye, kryeministri Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, e cila pas zgjedhjeve të 23 prillit 2023 qeverisë më Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndodhet përballë një testi të madh, jo vetëm procedural e ligjor, por edhe kombëtar – Kush do ta iniciojë mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriut të Kosovës? Deri më tani, asnjë qytetar nuk është deklaruar publikisht se do të iniconte procesin e largimit të kryetarëve të veriut.
Prej një muaji, Qeveria Kurti, përmes dikasterit të saj Ministrisë së Pushtetit Lokal ka filluar me hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve shqiptarë nga drejtimi i katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Grupi punues i MAPL-së ka përgatitur draftin e parë të këtij udhëzimi. Aty parashihet se kush mund të iniciojë mbledhjen e nënshkrimeve, përmes të cilave do të kërkohet procesi i votimit për largimin e kryetarit nga funksioni i komunës.
![](https://demokracia.com/wp-content/uploads/2023/09/WhatsApp-Image-2023-09-02-at-19.24.52-1024x341.jpeg)
Më 11 qershor, vetë kryeministri Kurti i kishte premtuar kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit, se në asnjë mënyrë nuk do të tërhiqet nga pozicioni i tij për jetësimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit 2023, të cilat edhe pse u bojkotuan nga serbët, ishin në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra e kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyre se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur se mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë, prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, njoftonte Kurti.
Por, premtimi i kryeministrit Kurti ishte i përkohshëm, pasi i njëjti më 1 gushti filloi rrugën ligjore për përgatitjen e dokumenteve që do t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja në këto katër komuna.
Gjatë ditës, Demokracia ka raportuar se sa votues duhet ta nënshkruajnë peticionin dhe sa duhet të votojnë për largimin e kryetarëve shqiptarë të veriut./Demokracia