Ekskluzive: Këta janë mjeku dhe pronarja e ordinancës të arrestuar pas vdekjes së 35-vjeçares në Malishevë

- in Lajme

Janë arrestuar dy persona për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, pas vdekjes së një gruaje në Malishevë.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se është arrestuar mjeku Xhavit Karaxha dhe pronarja e ordinancës, Hanife Karaxha.

Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, dhe dyshohen për veprat “Trajtim i pandergjegjsëm mjëkësor” dhe “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.

Vendimi ka ardhur pasi një grua 35 vjeçare ka ndërruar jetë kur është paraqitur për ta hequr një dhëmb në klinikën ku kanë punuar Xhavit e Hanife Karaxha, të cilët janë motër dhe vëlla.

Ndryshe, ordinanca ka qenë e regjistruar si ordinancë gjinekologjike me pronare Hanife Karaxhën.

Rasti ka ndodhur dje, ndërsa sipas faqes së fshatit, bëhet fjalë për qytetaren Leonora Shala nga fshati Ngucat i Malishevës e cila jetonte në Itali dhe në Kosovë kishte ardhur për pushime me familje.

Ajo ka lënë pas katër fëmijë të mitur, një djalë dhe tri vajza.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/