Një përleshje skandaloze ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës.
Ministrat dhe deputetët e pushtetit janë rrahur me deputetët e PDK-së në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Por, kush e provokoi situatën?
E gjithë përleshja fizike ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti në foltoren e Kuvendit.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Fillimisht, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “pinokio”, personazhi i filmave të vizatuar që i rritet hunda kur gënjen.
Pas kësaj ka reaguar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke e hequr dhe shqyer fotografinë nga foltorja, shkruan Demokracia.com.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili është afruar ta lag me ujë kryeministrin Kurti. Më pas, ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur Kurtin me një fasikell e Lushtaku është kthyer që ta lag edhe Besnik Bislimin.
Ndërsa, Bislimi ka gjuajtur në drejtim të Lushtakut me shishe të ujit dhe më pas Murati e Lushtaku kanë filluar të shtyheshin mes vete.
Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit dhe të PDK-së, të cilët janë përfshirë në rrahje.
Të përfshirë në këtë përleshje nuk kanë qenë edhe deputetët e tjerë të opozitës.
Policia e Kosovës dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka intervenuar për t’i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.
Momentalisht, forca të shtuara të policisë janë pranë dhe brenda në Kuvend.
Nga Partia Demokratike e Kosovës është kërkuar që Kurti të mos flasë në Kuvend dhe më pas u pozicionuan pranë foltores./Demokracia.com/