Biseda 2-3 minuta e shefes se Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lula me Milan Radojçiqin e Listës Serbe, të dyshuarin për vrasjen e Ivanoviqit, ka rrezuar një “argument” të partisë në pushtet me të cilin sulmonte partitë opozitare.
Deri me tani VV-ja vazhdimisht ka etiketuar oponentët politik si bashkëpunëtor të kriminelit nga veriu, i cili është edhe në listën e zezë të SHBA-së. Por, përgjimi tregon se edhe VV-ja është koordinuar me Radojçiqin.
Në fillim të këtij viti, VV-ja kishte nxjerr edhe një video, ku kishte përfshirë edhe foton e sh-kryeministrit Ramush Haradinaj me Radojçiqin, duke akuzuar atë se kishte pritur kriminel në Zyre të Kryeministrit.
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se përgjimi i publikuar dje në gazetën Nacionale, ku Kusari-Lula e pranon se ka biseduar me Radojçiqin për tu koordinua për disa projekteve, tregon se akuzat e VV-së kanë qenë populliste.
Politologu Avdi Smajljaj ka tregua se përgjimi ka nxjerr fytyrën e VV-së.
“Përgjimet na tregojnë, ndër të tjera, se demonizimet, kualifikimet si tradhtar, bashkëpunëtor i Serbisë, përfshi epitetin aktual si bashkëpunëtor të Vucicit ndaj atyre që mendojnë ndryshe me pushtetin, janë thjeshtë etiketime elektorale (mashtrime të qytetarëve për t’ua marrur votat) që e dëmtojnë demokracinë, pluralizmin, dhe konkurencën e shëndetshme në mes partive”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, sjelljet e tilla të partive dëmtojnë besimin e qytetarëve në subjektet politike.
“Pra, etiketimeve të tilla, sidomos kur ato bëhen nga partitë politike nuk duhet besuar fare. Në përgjithësi, sjelljet e tilla polarizuese e dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve ndaj partive politike, demokracisë, dhe ndaj institucioneve. Nuk besoj se nga sot e tutje ka dikush që ende u beson etiketimeve të tilla”, ka thënë shkruar Smajljaj.
Edhe politologu Agon Maliqi ka bërë me dije se akuzat e partisë në pushtet ndaj partive tjera në lidhje me Listën Serbe kanë qenë populliste.
“Mirë është që liderët të kenë linja kontakti me këdo që ka ndikim për të zgjidhur probleme. Edhe në kohë lufte mbahen linja komunikimi me armiqtë e me djallin, e lëre më në kohë paqeje. Ukrainasit ishin në tavolinë me rusët teksa masakroheshin qytetet e tyre. Kontaktet dhe marrëveshjet nuk janë mëkat. Ato ndihmojnë në leximin e kundërshtarit, shmangjen e keqkuptimeve, dhe arritjen e synimeve. Shumë prej defekteve të qeverisë sonë madje mund të ishin shmangur sikur të kishin më shumë komunikim”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka deklaruar se e meta e popullzimit është se “pështyma dikur të kthehet në fytyrë”
“Ajo që megjithatë përbën problem është “standardi puritan” dhe qasja sanitare të cilën pushteti i tanishëm e ka vendosur për kontaktin si diçka tinëzare, mëkat, apo terren i tradhëtisë. Popullizmi e ka këtë të metë: pështyma dikur të kthehet në fytyrë”, ka shkruar Maliqi.
Përgjimi i Kusari-Lilës me Simiqin
Gazeta Nacionale dje ka publikuar pjesën e parë të përgjimit të bisedave të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Gazetari Berat Buzhala ka treguar se përgjimet e janë bërë në qershor të vitit të kaluar. Biseda ndërmjet Kusari-Lilës e Slavko Simiqit është bërë në zyrën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Në hyrje të bisedës, Slavko Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin. Njeriu në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe dhe i dyshuar për rastin Brezovica.
Në atë moment, Kusari-Lila ndërhyn duke i thënë “3-4 minuta”. Pra, duke pretenduar se nuk ka biseduar me Radojiçiqin 30-40 minuta, por 3-4 minuta, raporton ekskluzivisht Nacionale.
Në përgjimet e tjera që do të publikohen ditëve në vazhdim Kusari-lila koordinohet me Listën Serbe për temën e veteranëve, i ofendon kolegët e vetë nga partitë në opozitë dhe një letër që Radojiçiq ia ka përcjellur shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Slavko Simiq dëgjohet teksa i thotë Kusari-Lilës se ne që nga fillimi kemi pasur raport partnerësh. Këtë, shefja e deputetëve të VV-së nuk e mohon asnjëherë./Nacionale