Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme i ka shpallur organizata terroriste dy formacionet ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë, ndërkaq menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla doli në një konferencë për media për të dhënë më shumë detaje.
Sveçla tha se vendimi për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada), do të hyjë në fuqi menjëherë.
Ndonëse fillimisht nuk e potencoi vetë, i pyetur nga mediat se a kishte Qeveria e Kosovës koordinim me aleatët për ndërmarrjen e këtij vendimi, Sveçla me bindje tha se kanë qenë të koordinuar në këtë hap.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, tha ai gjatë një konference për media pas vendimit.
Por mashtrimi i Sveçlës nuk zgjati shumë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës demantuan edhe një herë Qeverinë e Kosovës.
Ajo çka ministri deklaroi publikisht, doli të ishte e pavërtetë.
SHBA tha Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me ta në këtë vendim, teksa i kanë bërë sërish thirrje kryeministrit Kurti që të përmbahet nga veprimet e njëanshme.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH.
I habitur dhe i shqetësuar me veprimet e Qeverisë dhe me mospërgjigjen e tyre ndaj kërkesave të ShBA-së është shprehur mbrëmë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier, ka thënë se nuk është vetëm ShBA-ja e cila ka kërkesa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ai deklaroi se kërkesa të tilla kanë edhe shtetet tjera ndërkombëtare që janë aleate të Kosovës, dhe shtoi se nuk mund t’i kuptojë institucionet kosovare që ende nuk kanë një përgjigje të duhur në përputhje me kërkesat e shteteve mike.
”Vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, ka thënë Hovenier.
“Kjo është fjala që sapo e përdora. Unë jam i habitur, po përpiqem të kuptoj pse. Është rast mjaft unik që një Qeveri e Kosovës të mos i përgjigjet kësaj përbërjeje të aktorëve, që të gjithë i kanë interesat më të mirë të Kosovës në mendje. Po, jam i habitur, i shqetësuar, dua të shmangë një situatë në fund të kësaj letre nga Senati dhe kam sjellë një kopje dhe do ta lexoj një fjali që mendoj se është mjaft e rëndësishme”, ka shtuar tutje ai.
Në anën tjetër, vetëm dy ditë pasi Komisioni Evropian i prezantoi Parlamentit Evropian masat ndëshkuese për Kosovën, kryeministri Albin Kurti paraqiti në Prishtinë një plan 8-pikësh për “shtensionimin e situatës në veri të vendit”.
Kurti tha se “Kosova është e gatshme të hedhë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës”, duke theksuar nevojën për ndërmarrje të veprimeve urgjente drejt këtij qëllimi./Demokracia