Sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka publikuar fotografi me tre policët që u mbajtën në paraburgim në Serbi që nga data 14 qershor.
Tre policët që u kidnapuan në veri janë liruar sot.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u rrëmbyen më 14 qershor brenda territorit të Kosovës dhe deri më sot u mbajtën në paraburgim në Serbi.

Qeveria ka deklaruar se ata janë kidnapuar nga territori i Kosovës, derisa nga Beogradi kanë thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.
“Çdo sekondë i humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje joracionale, me qëllim kamuflimin e një akti bizar”, ka thënë Haxholli përmes një postimi në Facebook.
Autoritetet serbe patën thënë se ata dyshohet të kenë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre pa kushte.