Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në veri më 29 maj.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se bëhet fjalë për N.O., i cili banon në Mitrovicë të Veriut dhe është i njohur me nofkat ‘Nemac’ dhe ‘Rusi’.
“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.