Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë, për shkak se e njëjta nuk kishte të angazhuar avokatë.
Gjykatësi Adnan Kamberi njoftoi të akuzuarën se për shkak të denueshmërisë së veprës duhet që e njëjta të angazhoi avokat personalisht, ose në të kundërtën mund t’i caktoj avokat edhe gjykata sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë e akuzuara Gërvalla deklaroi se për shqyrtimi e radhës do të angazhojë me autorizim një avokat.
“Nuk kam avokat dhe do të angazhojë avokat me autorizim”, tha Gërvalla.
Prezent në seancë ishte prokurorja e shteti Luljeta Bilalli si dhe përfaqësuesja nga Agjencisë Kundër Korrupsionit, Lendita Ademi.
Në lidhje me përmbajtën e aktakuzës e njëjta nuk ishte e qasshme pasi që seanca e shqyrtimit fillestar ka dështuar dhe për këtë “Betimi për Drejtësi” ka dërguar edhe kërkese për qasje në dokumente zyrtare pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë që e njëjtat të jetë e qasshme edhe për publikun.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj të këtij viti ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.
Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.
Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.
Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj./Demokracia