Mbrëmë ia pezulloi licencën një televizioni, Kurti sot u tregon gazetarëve çfarë pyetje të bëjnë, pastaj flet për lirinë e mediave

- in Lajme

Vetëm një ditë pasi iu pezullua licenca televizionit Klan Kosova, kryeministri Albin Kurti ka folur se sa shumë ka liri të medias në Kosovë. Madje Kurti në konferencën për media, po tenton edhe t’ju tregojë gazetarëve se çfarë pyetje duhet të bëjnë.

Kurti u tregua i ashpër me pyetjen e gazetares nëse do të lirohen policët e rrëmbyer me kushtin që të lirohet i dyshuari Milun Milenkoviq – Llune, i cili u arrestua të martën për sulmet ndaj KFOR-it. E pas kësaj foli se sa shumë ka liri të medias në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

“Nuk krahasohen këto raste, te ne ka sundim të ligjit, nuk ka pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë shkëmbim, ju s’e di pse e thoni. S’keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit karshi republikës demokratike. Për çfarë shkëmbimi, kush e ka kërkuar atë? Ju jeni gazetare, mirëpo kur flisni, ua kisha sugjeruar, mos flisni në emër të Beogradit zyrtar, sepse s’i kontribuoni as lirisë të medias as sigurisë në Kosovë”.

Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, përmes një komunikatë për medie, mbrëmë ka njoftuar se i është pezulluar licenca “Klan Kosovës”. E gjitha ka nisur pas një kallëzimi penal që MINT ka bërë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës.

Në njoftimin e Ministrisë, kuptohet se MINT ka ushtruar një kallëzim penal për shkak të dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve./Demokracia.com/