ZKA konfirmon raportimin e Demokracia.com, Komuna e Gjilanit pagoi mbi 80 mijë euro për orendi të cilat nuk dihet se ku kanë mbetur

- in Lajme

Në janar të këtij viti, Demokracia.com kishte raportuar se Komuna e Gjilanit gjatë viti 2022 kishte paguar për 597 tavolina për nevoja të Qendrës Klinike Mjekësore Familjare “Nagip Rexhepi”, mirëpo përgjatë procedurës së regjistrimit kanë figuruar vetëm 285 copë.

Lidhur me këtë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin vjetor të përformancës thekson se Komuna e Gjilanit përkatësisht QKMF gjatë vitit 2022 u furnizua me inventar në vlerë prej 83 mijë e 493 euro, por që nuk dihet se ku gjenden tani këto orendi.

Siç kishte raportuar Demokracia.com, për plotësim të nevojave të orendive në Komunën e Gjilanit vetëm përgjatë vitit të kaluar furnizimi u kushtoi 94,853 euro. Kjo komunë në vazhdimësi kontrakton nga operatori i njëjtë ekonomik “Mobelland”, kompani kjo që po ashtu fiton tender edhe nga Zyra e Kryeministrit dhe ministritë e Qeverisë Kurti.

Faturat ishin lëshuar pa pasur njohuri se ku është malli për të cilin u pagua.

Në një nga faturat e siguruara nga Demokracia.com të datës 24 maj 2022, ku janë porositur orendi për nevoja të komunës në vlerë totale prej 12,800 eurosh, shihet se personi përgjegjës për pranimin e faturës nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë, në formë të shprehjes së pakënaqësisë.

ZKA në raportin e saj po ashtu thekson se inspektimi është bërë për 12 artikuj të cilët nuk u gjetën në QKMF.

“Faturat ishin nënshkruar nga tre zyrtaret qe ishin emëruar si komision për pranimin e inventarit. Komisioni i pranimit te inventarit deklarohet se me kërkese të menaxhmentit janë nënshkruar në faturë vetëm për tu ekzekutuar pagesa dhe se nuk kanë njohuri në lidhje me inventarin”,  thuhet në raportin e ZKA-së.

 

 

 

Pas raportimit të Demokracia.com Prokuroria Themelore e Gjilanit kishte njoftuar për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin e 597 tavolinave të blera për Qendrën Klinike Mjekësore Familjare “Nagip Rexhepi”, ku përgjatë procedurës së regjistrimit të tyre kanë figuruar vetëm 285 copë.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndërmarrë veprime hetimore, duke autorizuar policinë për mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave lidhur me këtë rast. Për rrjedhën e mëtutjeshme të hetimeve do të jeni të informuar me kohë”, kishte bërë të ditur për Demokracia.com zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini. /Demokracia.com/