Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratislavë të Sllovakisë.
Takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë.
Kurti ka thënë se Njësiti Special i Policisë së Kosovës do të qëndrojë në komunat në veri derisa para komunave të ketë banditë kriminelë që sulmojnë, e bëjnë grafite me shkronjën ‘Z’ dhe admirojnë presidentin despotik Putin, si dhe përkrahin pushtimin rus të Ukrainës”.
“Kam biseduar me përfaqësuesin e lartë Josef Borrell dhe me emisarin Miroslav Lajçak, u thashë se po që se protestat do të ishin paqësore do të kisha mirëkuptim. Por, jo me banditë që shkruajnë shkronjën ‘Z’ e që bërtasin në gjuhën serbe ‘vrit, vrit’. Nuk ua dorëzojmë Republikën demokratike këtyre banditëve fashistë. Nëse duan protesta paqësore, atëherë kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik, jam i gatshëm t’i dëgjoj e të pajtohem me ta ndoshta’ “, ka thënë Kurti.
“Serbia është fqinja jonë veriore, por nuk e njeh Kosovën dhe ka thënë se s’do ta njohë kurrë, ndonëse se ka një marrëveshje më 27 shkurt e po ashtu një plan zbatimi të dakorduar në Ohër më 18 mars. Situata është e tensionuar, pasi kemi një tekst të përgatitur e të kthyer në Traktat bazë mes Kosovës dhe Serbisë që në esencë është njohje de facto. Zbatimi mungon, pasi Beogradi nuk do”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se ka koordinim e komunikim me NATO-n, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se pajtohen me çdo gjë.
“Siç e dini, ne e kemi NATO-n në Kosovë që nga gjenocidi dhe e konsiderojmë të pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen. Jemi në kontakt të rregullt me NATO-n. Ka koordinim e komunikim, por jo që pajtohemi gjithmonë në çdo gjë. Sikur në këtë rast. Ndërtesat u takojnë Republikës. E kuptoj se s’duhet të ketë shumë policë brenda, por s’duhet të ketë paraprakisht dhunë jashtë. Patë njerëzit duke sulmuar KFOR-in e policët tanë. 30 të lënduar, ka dhjetëra përgjegjës, por s’janë në burg. Ata duhet të burgosen”, ka thënë Kurti.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.
Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.