Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i kënaqur me procesin zgjedhor të mbajtur në katër komunat veriore ku kandidatët nga subjekti i tij dolën fitues në dy prej tyre.
Gjithsesi i pari i PDK-së shpreh shqetësimin për gjendjen në atë pjesë të Kosovës dhe thotë se qeveria duhet që të marrë përsipër obligimet që i takojnë dhe të sigurohet për zbatimin e vullnetit qytetar për konsolidimin e institucioneve në këto komuna.
“Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok, në zgjedhjet e sotme lokale për katër komunat e pjesës veriore të vendit. I uroj Ilirin dhe Izmirin për fitoret, por edhe Albulenën e Taulantin për angazhimin dhe punën e palodhshme në komunat ku garuan. Ndërkaq, falënderimi më i madh u takon të gjithë atyre qytetarëve të cilët edhe sot i besuan PDK-së, kandidatëve dhe ofertës tonë. Përtej kësaj, e rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë. Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje”, shrkuan ai.
“Tani presim nga Qeveria që të marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë – për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut. PDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur për të ofruar qeverisje gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ky ka qenë zotimi ynë – ky është edhe misioni ynë. Bashkë për Kosovën!”, shtoi ai.