Këshilli Prokurorial i Kosovës ka demantuar fjalët e kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit të enjten për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Kurti në Kuvend e akuzoi Isufajn si një prokuror që nuk e ka fituar asnjë rast në Gjykatë, pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Madje, i përmendi rastin e Dino Asanajt, për të cilin tha se nga vrasja e ka kategorizuar në vetëvrasje, dhe për rastin “Sopi”, të cilin sipas Kurtit, Isufaj e ktheu nga vetëvrasja në vrasje.
Për rastin e Dino Asanajt, KPK-ja ka thënë se pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me rastin.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, posaçërisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, deklaron se, sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast”, thuhet në reagim.
KPK-ja ka ftuar kryeministrin Kurti, ministrat, deputetët dhe qytetarët, që sipas tyre, për hir të transparencës, “të merren detaje që mund të jenë të panjohura deri tash aty ku është vendi”.
KPK-ja, sipas reagimit, ka thënë se institucionet prokuroriale janë të gatshme plotësisht dhe të përkushtuara që ligjërisht të trajtojnë secilin informacion me interes për ndriçimin e të gjitha rasteve në fjalë.
Për rastin “Sopa”, KPK-ja ka thënë se Blerim Isufaj ishte prokuror i rastin vetëm në fazën fillestare, ndërsa rasti i ka kaluar një tjetër prokurori, dhe KPK-ja i ka rekomanduar Kurtit që të kërkojë përgjigje nga ai prokuror.
“Rrjedhimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, informon publikun e gjerë se, sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate”, thuhet tutje në reagim.
KPK-ja ka konsideruar se këto janë deklarata të pavërteta.
“KPK-ja deklaron se mbështet dhe mbron me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe në ketë rast edhe punën e PRSK-së dhe të prokurorëve të saj, të cilët angazhohen dhe punojnë që të zbatohen ligjet e vendit dhe që të mos atakohen pa fakte në çdo situatë dhe për agjenda që nuk janë në domenin e institucionit të Prokurorit të Shtetit”, thuhet më tej në reagim.
KPK-ja edhe më herët ka reaguar pas deklaratave që janë bërë nga zyrtarë të lartë dhe deputetë të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.