Policia e Kosovës, Krimet Ekonomike kanë kryer bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, ku është kontrolluar edhe zyra e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. I njëjti siç raportohet, u shoqërua në Polici, por ende nuk dihet se në çfarë cilësie.
Avokati i tij, Taulant Ferizi, ka deklaruar se Krasniqi ka kërkuar tretman mjekësor në QKUK, pasi sipas tij i është përkeqësuar gjendja gjatë bastisjes.
Sipas tij, nga ajo që kanë mësuar, kontrolli është kryer për dy kontrata të nënshkruara në fushën e prokurimit.
“Jo, nuk është e vërtetë që drejtori ka refuzuar me iu bastisë banesa. Pas ardhjes së policisë, një numër goxha të madh të policisë për bastisje edhe për jo profesionalizmin e tyre që është tregu ka kërku që të dërgohet në QKUK. Kanë ardhë ekipet mjekësore të Emergjencës dhe e kanë vlerësuar që i njëjti ka nevojë me u dërgu në QKUK”, ka thënë ai.
Ferizi po ashtu ka mohuar se i është thyer dera e banesës së Krasniqit, siç është raportuar.
Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës tha se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për kontrollin e kryer nga Policia e Kosovës në zyrat e këtij institucioni të mërkurën.
Në një komunikatë dërguar mediave, KEK-u tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit si dhe do të ofrojë qasje të plotë “në cilëndo kërkesë nga këto organe”.
“Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.