Në orët e para të mëngjesit të së hënës, rreth 50 minatorë të minierës Trepça kanë mbetur të bllokuar si pasojë e prishjes së një ashensori. Minatorët kishin mbetur të ngujuar në horizontin 11 e që është rreth 900 metra nën tokë, shkruan Gazeta Sinjali.
E pas rreth 18 orësht bllokim, minatorët kanë arritur të dalin nga miniera. Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi.
Ai tha se ” kanë dalë thuajse të gjithë, kanë mbetur edhe katër-pesë persona të cilët do të dalin së shpejti”, u shpreh Jonuzi.
E sa i përket gjendjes shëndetësore, Jonuzi tha se minatorët janë në gjendje të mirë.
“Janë në gjendje të mirë shëndetësore, nuk kanë diçka përpos shqetësimeve dhe lodhjes për shkak të qëndrimit të gjatë në atë hapësirë ku ishin ngujuar”, përfundoi ai.
Një familjar i njërit prej minatorëve, kishte treguar se bëhet fjalë për ndërrimin e tretë i cili ka mbetur i bllokuar nga ora 3:00 e mëngjesit.