Bajrami me kritika ndaj Qeverisë: Dasmat bëjini në institucione, krejt familjarët aty i keni

- in Lajme

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme ku po diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, ka drejtuar kritika të ashpra kah ekzekutivi, raporton Gazeta Sinjali.

Bajrami ka thënë se e gjithë politika ekonomike e Qeverisë është reduktuar në lëmoshë, teksa ka kritikuar edhe mostransparencën, pasi që sipas saj, përgjatë dy viteve s’është publikuar asnjë listë.

“Asnjë punë, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë rrugë, asnjë shkollë, zero transparencë, institucione vakante jofunksionale, ky është bilanci i qeverisë Kurti. Keni ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmoshë. Për transparencë të mos flasim, dy vite qeverisje asnjë listë e publikuar. Kurti në opozitë ka premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut por për dy vite ka paguar plot 98 milionë euro. Çka ndodhi ku mbeten premtime ku mbetën ndryshimet? Ku është banka zhvillimore e fondi sovran? Kemi rënie të prodhimit vendor dhe rënie të konsumit. Është rritur tatimi në pronë, punësim ka në Gjermani por në Kosovë nuk ka. Krejt çka keni bërë në drejtësi i shohim me rastin e Martin Berishajt”, ka thënë ajo.

Tutje Bajrami ka përmendur edhe punësimet familjare në institucione shtetërore, duke cituar thënien e famshme të kryeministrit, Albin Kurti, se familjarët janë për dasma.

“Kryeministri thoshte se familjarët janë për dasma, sot dasmat lirisht mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët i keni aty. Besoj që duhet të ju vij turp për votat që i keni marrë, për këto dy vjet nuk e keni pasur asnjë pengesë të vetme për realizimin e programit tuaj qeverisës”, ka thënë ajo në debatin që po zhvillohet në Kuvend për punën dyvjeçare të Qeverisë”, ka thënë tutje deputetja e LDK-së.

/GazetaSinjali/