“Edhe ju kryeministër dirigjoheni nga Dejona Mihali”, përplasje mes Musliut dhe Kurtit

- in Lajme

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka pasur një përplasje sot me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pasi ia kujtoi atij takimin e 26 marsit në Tiranë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparalamentaren Lindita Nikolla, duke kërkuar llogari për prezencën e Dejona Mihalit, raporton Gazeta Sinjali.

Musliu ka kërkuar që Kurti të tregojë kontributin e Mihalit në këtë takim, për të cilën shefi i Qeverisë tha se e ka bashkëpunëtore të kahmotshme.

“Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kahmotshme, dhe ka rolin e saj si drejtuese e komiteteve profesionale dhe punës që bën në Kuvend për koordinimin me Grupin Parlamentar për nga fushat profesionale. Nuk ka qenë pjesë e takimeve me Presidentin Begaj e Rama, por vetëm me kryetaren Nikolla, për shkak të karakterit të punës së saj në parlament”, është përgjigjur kryeministri Kurti.

Ndaj kësaj deklarate ka replikuar Musliu, e cila ka thënë se nëse do duhej të merrej një këshilltare, do duhej të merren të gjithë këshilltarët e grupeve parlamentare dhe një gjë të tillë deputetja e PDK-së e ka quajtur shkelje të protkollit shtetëror.

“Nëse është dashtë të merret një këshilltare, është dashtë të merren te gjithë këshilltarët e grupeve parlamentare dhe kjo është shkelje e protokollit shtetëror. Kjo tregon se ju jeni të varur nga direktivat e zonjës Mihali dhe kjo tregon se edhe ju si kryeministër i merrni direktivat nga ajo, e që nuk dihet se kush e dirigjon atë”, ka qenë kundërpëgjigjja e Musliut.

Por, Kryeministri Kurti ironizoi me Musliun duke thënë se e mori si kompliment atë se çfarë i tha, pasi sipas tij i bie që me Qeverinë e tij ka shkuar gjithçka mirë.

“Së pari me lëjoni të falenderoj për këtë kompliment, pas dy vite qeverisje, shikoni cfarë pytje më bëni. Ka ngel puna të më kapeni për Dejona Mihalin, dhe ky është kompliment, pasi gjithçka ka shkuar mirë dhe ka ngelur problemi me Dejonën. E dyta, këtë dua t’ja sqaroj edhe votuesve të juaj se Dejona është nga Tirana, dhe mënyra qysh pe shtroni pytjen menon najkush qe është nga Beogradi”, tha Kurti ndërsa pyeti Musliun se pse nuk mundet Dejona të vijë në Tiranë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se pjesëmarrja e Dejonës në takimin e 26 marsit është shpërdorim i taksave të qytetarëve të Kosovës dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

/GazetaSinjali/