Për motive të ndryshme e me raste edhe të panjohura, qytetarët përballen me kërcënime serioze. Të dyshuarit shpesh herë janë edhe persona të afërm të tyre, por ndodh që edhe të mos dihet ‘autori i paralajmërimeve të rrezikshme’, raporton Gazeta Sinjali.
Me një rast të tillë është përballur mëngjesin e djeshëm një grua në Prishtinë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 53-vjeçarja ka njoftuar Policinë se dikush i panjohur ka lënë një ‘porosi’ në kutinë postare të banesës së saj në rrugën ‘UÇK’.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një letër me mesazh të shkurtër, por tejet serioz, ku shkruhej se ‘Kom me të vra sonte’.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.