Avokati i Veselit: As për Millosheviqin s’u kërkua kaq kohë, zgjatja e procedurës armik i drejtësisë

- in Lajme

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, në konferencën për përgatitje të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në rastin ndaj Veselit, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selim, ka deklaruar se trupi gjykues mund të përdorë diskrecionin që ka, pasi siç ka thënë ai kohëzgjatja e procedurës është armik i drejtësisë dhe armik i të drejtave të të akuzuarve, që të mos mbahen të paraburgosur apo të mos i nënshtrohen në ndjekje penale që është shumë e gjatë.

Emmerson ka thënë se nuk ka strukturë dhe fokus nga ana e Prokurorisë, gjë që sipas tij, është problem i madh dhe i dukshëm.

Prokuroria ka thënë se i duhen rreth 600 orë për paraqitjen e të gjitha provave.

Por Emmerson ka thënë se edhe për ish-kryetarin e Serbisë e ish–Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqi, që akuzohej për krime në tre vende, u kërkuan 300 orë nga prokuroria, derisa për këtë rast kërkohen dyfishi i orëve për paraqitje të rastit.

“Në rastin e Millosheviq do të duheshin 20 vite nëse do të vazhdohej më këtë logjikë”, deklaroi Emmerson.

Ndryshe, paraprakisht, prokurori Allan Tiger, ka diskutuar edhe për raste të tjera kur është kërkuar kohë për paraqitje të rasteve të Prokurorisë dhe i ka elaboruar të njëjtat dhe ka diskutuar edhe për faktorët e ndryshëm që janë në pyetje.

Ai po ashtu ka deklaruar se Prokuroria po përpiqet të vë në dukje karakterin e kësaj çështje, përhapjen sistematike, madhësinë e grupit, konfliktin e armatosur, politikat që janë përdorur në vende që kanë qenë në kontrollin e të akuzuarve.

Tutje, ka thënë se gjykimi i drejtë do të thotë që dy palët të paraqesin çështjet e tyre dhe në shpejtësi të ecën procesi në këtë mënyrë të tillë që të fokusohet te provat që nevojiten për të provuar akuzat dhe asgjë më shumë.

“Kjo i referohet përzgjedhjes së një numri jo të jashtëzakonshëm të dëshmitarëve dhe përzgjedhjes së dëshmitareve që flasin për krimet e trajtuara nga aktakuza. Kjo është një çështje që është trajtuar në mënyrë efektive, konstruktive”, është shprehur ai.

Avokati Gregory Kehoe, deklaroi se nga Prokuroria kanë parë se kanë pasur deklarata të dëshmitarëve prej 30-40 paragrafë dhe shikojnë nëse të njëjtat janë në përputhje me rregulla e këtë e shikon edhe gjykata dhe e njëjta jepë vendim në bazë të rregullave të ndryshme.

“Ne kemi mijëra faqe dëshmitarësh këtu”, ka theksuar Kehoe, duke shtuar se duhet t’i shikojnë të gjitha dhe t’i gjejnë çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen. Ai tha se nuk e dinë se çfarë mendon Prokuroria se është me rëndësi.

“Nuk na intereson asnjëri siç tha edhe gjykatësi Smith, duhet të mbarojmë, kemi të gjithë të njëjtin shqetësim, kohëzgjatje pafund. Besoj e dini sa e vështirë është për ne, të marrësh mijëra faqesh, të na hedhësh ne, t’i shikojmë me kujdes dhe të shohësh se çka është ajo që Prokuroria do të paraqes”, ka deklaruat Kehoe, raporton Betimi për Drejtësi.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

/GazetaSinjali/