FSK nxjerr të gjallë edhe nënën e fëmijës që e shpëtoi pak orë më parë

- in Rajoni dhe Bota

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e ka nxjerrë të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës dy-vjeçar që e shpëtuan pak orë më parë ndërsa FSK ka shprehur vendosmëri që ta vazhdojë operacionin e kërkim-shpëtimit deri në shpëtimin e qytetarit të fundit.

“Nxirret e gjallë edhe nëna e fëmijës dy vjeçar nga ekipet e FSK-së. Pas shumë përpjekjeve nga ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ata kanë arritur ta nxjerrin nga rrënojat edhe nënën e fëmijës dy vjeçar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtes.

“Operacionet e Kërkim-Shpëtimit do të vazhdojnë deri sa të nxirret edhe qytetari i fundit nga rrënojat, motivi i ushtarakëve nga Kosova është i lartë, profesionalizmi dhe disiplina po japin rezultate”, thuhet tutje.

Pas tërmeteve shkatërruese që lanë të vdekur më shumë se 11 mijë e 700 njerëz dhe dhjetëra mijëra të plagosur në Turqi dhe Siri, autoritetet në Kosovë ofruan menjëherë mbështetje për Ankaranë dhe popullin turk.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, në orët e mbrëmjes së 6 shkurtit, njoftoi se një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis për të ndihmuar autoritetet turke. Në kontingjentin e FSK-së bëjnë pjesë specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e qenve për kërkim-shpëtim.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke realizuar me sukses të lartë operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, pas tërmetit shkatërrues të së hënës.

Institucionet e Kosovës kanë njoftuar se ekipi i mundjes i Kosovës dhe tri familje kosovare kanë qenë në zonën e rrezikut në Turqi, por asnjë shtetas i Kosovës nuk është në mesin e viktimave./Albanianpost