Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar masakrën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, me ç’rast ‘Rojet e Urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë.
Sipas Haxhiut, “ata që kërkojnë gjithnjë e më shumë kompromise ku vetëm Kosova duhet të dhënë diçka janë duke i hyrë në hak Kosovës”.
Haxhiu, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, u shpreh se pikërisht kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar atëherë edhe ndodhi nata e tmerrit.
“Kur të gjithë besonin se çlirimi i Kosovës ishte kryer në qershorin e vitit 1999, në prani edhe të forcave e misionit ndërkombëtar, tetë muaj më pas, në veri të Mitrovicës popullsia shqiptare po përjetonte një tmerr tjetër”.
“Serbia ka shkaktuar shumë krime e dëme në Kosovë. Populli i Kosovës e ka përjetuar në lëkurën e tij këtë gjë”, ka shkruar Haxhiu.
23 vjet nga “Nata e Tmerrit” në veri të Mitrovicës
Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, të banuar tani me shumicë serbe, para 23 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë etnikë e plagosur 25 të tjerë nga pjesëtarë të “Rojave të Urës”.
Në këtë natë, të njohur si “Nata e Tmerrit”, burra e gra, midis tyre fëmijë e pleq nga 13 deri në 65 vjeç mbetën të vrarë e të masakruar. E brenda atij muaji mbi 1 mijë e 560 familje me më shumë se 11 mijë 300 anëtarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre në veri.
Pas kësaj ngjarje tragjike, kujtojmë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) të cilët kishin thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.
Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, në krye me ish-komandantin, Dragan Delibashiç dhe politikanin tashmë të ndjerë serb Oliver Ivanoviç.
Autorë të këtij krimi monstruoz ishin edhe Milodrag Raliç, Pagi Joviç, Zoran Dediç, Rela Martinoviç, Zoran Kostiç, Sasha Saviç, Ivan Mandiç, Dragan Shilkoviç, Dulko Shilkoviç e të tjerë.
Ndërkaq, sipas Halit Beranit nga KMLDNj në Mitrovicë, në krim ishin të përfshirë dhjetëra kriminelë që kishin ardhur me tre autobusë nga Serbia më 2 shkurt, një ditë para masakrës.
Banorët e Mitrovicës e kanë ende të freskët përjetimin e këtyre ditëve, të cilët u dëbuan nën plumbat e serbëve e gazin lotsjellës të KFOR-it të cilët mundoheshin të neutralizonin situatën dhe në të njëjtën kohë ndihmonin evakuimin e “sigurtë” të grave e fëmijëve.
/Albanianpost.com