Sipas kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, me vendimin për vlerën e koeficientit prej 105 euro janë stimuluar punëtorët që kanë paga prej 700-800 eurosh, e jo ata që kanë paga prej 200 eurosh.
Në një konferencë për media, Azemi u shpreh se punëtorët e sektorit privat janë goditur me pakon për luftimin e inflacionit.
“Ne u goditem haptazi nga pakoja e luftimit te inflacionit, Qeveria duke e ditë qe punëtoret e sektorit kanë 3 herë paga me te vogla, ndau mjete për ata te sektorit publik dhe jo ata privat, punëtoret janë shume të zhgënjyer, neve na qiti në cilësinë e lëmoshës, është stimuluar punëtori që merr 700- 800 euro paga e jo ai që merr 200 euro”, ka thënë Azemi.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe faktin se punëtorët e e sektorit privat kryejnë punë për institucionet publike me paga shumë të ulëta.
“Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, punëtorët që mirëmbajnë këtë zyre, paguhen 180 euro. Kjo është shumë shqetësuese për ne. Këto paga të ulëta vijnë nga Qeveria e Kosovës. Në vend që Qeveria ta motivojë sektorin privat për paga më të larta, është ajo që i paguan kaq pak punëtorët teknikë”.

“Qeveria po sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik, e jo ata të sektorit privat. Buxheti i Kosovës është buxhet i të gjithëve. Klasa më e pasur, ajo e sektorit publik u financua, e pikërisht ajo që është më e varfër jo”.
Ai ka thënë se buxheti i Kosovës u takon të gjithëve, e jo vetëm sektorit publik.
Prandaj, kërkesa e tij ishte që të ndihmohet edhe sektori privat.
“Kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 450 euro. E kemi një pagë minimale që ne mendojmë qe duhet të zyrtarizohet nga Qeveria. Kanë premtuar por nuk e kanë realizuar. Kërkesë imediate e jona është që të gjithë punëtorët të paguhen komfort ligjit të pagave. Ne nuk heqim dorë, ne jemi të Kosovës dhe i shërbejmë shtetit të Kosovës”.
Pas publikimit të vlerës së koeficientit për ligjin e pagave nga Qeveria e Kosovës, sektori privat ka dalur edhe me kërkesë që punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që janë të punësuar nga ky sektor të paguhen duke u bazuar në koeficientin që është caktuar nga ekzekutivi.
Koeficienti për nëpunës teknikë në Ligjin e pagave është 3.8 deri në 4.
Jo më shumë, as aq sa ishte, as më pak, por shumë më pak u përcaktua vlera – vetëm 105 euro.
Përkundër se veç këtë të mërkurë u mor vesh koeficienti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.
Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.
Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
/Albanianpost.com