Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mënyrën se si ka zgjedhur ta argumentojë qëndrimin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se nuk është thjeshtë rastësi që në të njëjtën ditë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti foli për “Zajednicën” e presidenti serb Aleksandër Vuçiç, për “vendime të vështira” që e presin Serbinë.
“Çuditërisht, në po të njëjtën kohë, pa agjendë dhe pa rend dite, përderisa po mbanim deklarimet jashtë rendit të ditës gjasë seancës së Kuvendit, edhe Kryeministri ynë Albin Kurti e kontrabandoi një lajm të madh për Kosovën, lajmin për themelimin e ‘Zajednicës’”, tha Tahiri.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se Kurti kishte zgjedhur ta prezantojë qëndrimin e tij në kohën për deklarime jashtë rendit të ditës, kur deputetët e kanë kohën e kufizuar për debat dhe këtë e ka bërë nga frika e ballafaqimit me deputetët.
“Kjo nuk është koincidencë. Kjo është gjë e menduar mirë. Por ajo çfarë ishte një përpjekje absurde për të shpëtuar nga ballafaqimi për “zajednicën”, ishte zgjedhja e kohës për deklarime jashtë rendit të ditës nga ana e kryeministrit, kur deputetët e kanë kohën e kufizuar për debat e replika”.
“Madje, nga frika e ballafaqimit, kujdeseshin të na e përkujtonin se nuk kemi të drejtë ta kërkojmë fjalën se s’lejohet me rregullore”, tha Tahiri teksa shtoi se kreu i ekzekutivit duhet t’ua shpjegojë të zgjedhurve të popullit dhe vetë popullit në detaje pse ka ndryshuar qëndrimin ndaj Asociacionit.
“Ai zgjodhi kohën më të përshtatshme për vete, për ta thënë këtë lajm duke iu shmangur ballafaqimit të deputetëve e duke lënë qytetarët në terr informativ. Kësaj përpjekje, nuk do të mund t’i shmanget. Ai duhet t’ua shpjegojë deputetëve dhe qytetarëve në detaje se çfarë e bëri atë që ta pranojë zajednicën brenda natës”, përfundoi ai.
Ndryshe, kryeministri Kurti, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i mundshëm, por ka përmendur 6 parakushte që duhet plotësohen para se të themelohet kjo strukturë e re qeverisëse brenda Kosovës.
Ndërkaq, seanca e posaçme në legjislativin serb është përcjellur me përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe presidentit serb ndërsa protestuesit jashtë kanë shfaqur pankarta ku shkruhej “Vuçiç tradhtar”, “Ushtria, policia, të ndalojnë tradhtinë, mbroni Kushtetutën, qëndroni me popullin”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com