Ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit, përmes një reagimi për media kanë njoftuar se do ta apelojnë çështjen më tej në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe pse Apeli ua ka zvogëluar dënimet ish-krerëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
“Jemi të zhgënjyer me vendimin e panelit të Gjykatës së Apelit. Nuk kemi arritur akoma të konsiderojmë detajet e vet aktgjykimit por, mund të cekim se do ta apelojmë çështjen më tej në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës sa i takon shkeljeve esenciale të procedurës dhe të ligjit gjatë shqyrtimit kryesor dhe gjatë procedurës të Dhomave të Specializuara deri në vendimin e plotfuqishëm nga Gjykata Supreme”, thuhet në reagim.
Por, ushtruesi i detyrës së prokurorit të specializuar, Alex Whiting , e ka mirëpritur aktgjykimin e Apelit në Hagë.
Ndryshe, paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ua ka zvogëluar dënimet për nga tre muaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.
Gucatit dhe Haradinajt iu shqiptua dënim me nga 4 vjet e 3 muaj burgim për secilin veç e veç.
Por, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, tha se mbetet në fuqi dënimi shtesë për Gucatin dhe Haradinajn me një gjobë prej 100 eurosh.
Sipas saj, Gucati dhe Haradinaj do të mbeten në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e të tyre në shtetin ku do të vuajnë dënimin.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com