Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistsë për Zërin e Amerikës, tha se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Asociacionit të komunave me shumicë serbe teksa shtoi se insistimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po bëhet në atë mënyrë që të ndihmojnë Kosovën të kalojë pengesën e fundit, për të arritur tek marrëveshja finale.
Ai tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe për Kosovën është një obligim i marrë me kohë, por për fat të mirë është obligim kushtetues dhe ligjor, pra sipas tij, nuk del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Asociacioni është i Kosovës, për njerëz të Kosovës, për komuna të Kosovës dhe synon integrimin e serbëve në institucionet e vendit dhe shkëputjen e varësisë nga Serbia. Dua të përsëris edhe një herë, se Amerika po e ndihmon Kosovën për të kaluar pengesën e fundit për të arritur tek marrëveshja përfundimtare”, theksoi kreu i AAK-së.
Ish-kryeministri i Kosovës komentoi edhe propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili sipas tij, në fakt është më shumë amerikan dhe një mundësi reale që Kosova të “divorcohet” nga Serbia.
“Përmbajtja që i jep plani franko-gjerman zgjidh të gjitha problemet Kosovë-Serbi. Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar por nuk vendos marrëdhënie dypalëshe, por hapet perspektiva e Kosovës për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Pra është një mundësi reale për t’u ‘divorcuar’ përjetësisht me Serbinë”, tha ai.
Haradinaj në këtë intervistë, dha edhe një këshillë për Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“Unë e inkurajoj qeverinë tonë që ta shfrytëzojë këtë energji të madhe, që vjen edhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe dëshirës së madhe të NATO-s dhe Amerikës për ta larguar Rusinë nga Ballkani. E vetmja mënyrë për ta larguar Rusinë nga një pjesë e Ballkanit është arritja e marrëveshjes me Serbinë sepse Kosova menjëherë fillon perspektivën për Parneritet për Paqe”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com